Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo shkelje e marrëveshjes së armëpushimit do të përballet me një përgjigje të ashpër ushtarake nga SHBA.
Në një reagim publik, Trump theksoi se prania ushtarake amerikane në dhe rreth Iranit do të mbetet e plotë, me të gjitha kapacitetet luftarake në gatishmëri.
“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan… do të mbeten në vend në dhe përreth Iranit, derisa marrëveshja e arritur të respektohet plotësisht,” deklaroi ai.
Presidenti amerikan paralajmëroi se në rast të mosrespektimit të armëpushimit, SHBA do të reagojë me forcë të madhe.
“Nëse për ndonjë arsye nuk respektohet, atëherë fillojnë ‘të shtënat’, më të mëdha, më të mira dhe më të fuqishme që janë parë ndonjëherë,” u shpreh Trump.
Megjithatë, ai u përpoq të ulë tensionet në një pikë kyçe, duke garantuar se nuk do të përdoren armë bërthamore.
“Pavarësisht retorikës, ASNJË ARMË BËRTHAMORE nuk do të përdoret,” theksoi ai, duke shtuar gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur dhe e sigurt për qarkullimin ndërkombëtar.
Në fund të deklaratës, Trump përdori një ton triumfues për rolin e ushtrisë amerikane.
“Ushtria jonë e madhe po pushon dhe po përgatitet, duke pritur me padurim… AMERIKA ËSHTË KTHYER!” përfundoi ai.
Deklaratat e presidentit vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe respektimin e armëpushimit mes palëve.



