Kur buxheti 2025 mori miratimin e kuvendit në Shqipërisë, programi i investimeve publike ishte mjaft ambicioz me një shumë totale prej 162, 3 miliardë lekësh afërisht 1,7 miliardë euro, një rekord historik.
Me gjithë rishikimet që ju bënë buxhetit 2025 me akte normative realizimi faktik i investimeve publike ishte 118,5 miliardë lekë. Shkalla e ecurisë mbetet në nivelin 73% të planit fillestar, duke lënë rreth 43.8 miliardë lekë të papërdorura (451 milionë euro) brenda vitit buxhetor.
Të dhëna të detajuara nga tabela e vjetore e investimeve nga Ministria e Financave shihet se realizimin më të mirë e kishin fondet për akset rrugore të Korridorit VIII, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës dhe projektet e armatimit në ushtri, kontratat koncesionare dhe nga ana tjetër ecurinë më të dobët e kishin disa zëra të investimeve në shëndetësi dhe në arsim, ku universitet nuk arritën të alokojnë fondet e donatorëve.
Në 8 lotet e Korridorit 8 nga Elbasani në Qafë -Thanë u alokua pothuajse i gjithë programi e investimeve prej 6.5 miliardë lekësh dhe nga Elbasani në Papër gjithashtu u alokuan 3,1 miliardë lekë të tjera.
Afërisht 10, 1 miliardë lekë ose 8.5 % e investimeve totale vitin e kaluar shkoi për investimet në Korridorin 8. Teksa rreth 2 miliardë lekë u dhanë për projektin e zgjerimit të Autostradës Tiranë-Durrës.
Projekti, më i madh pas Korridorit kanë qenë rreth 4 miliardë lekë ose 41 milionë euro investime ne armatim dhe pajisje ushtarake. Ndërsa koncesioni i rrugës së Arbrit mbetet nga projektet me më të mëdha që u financua me rreth 3,4 miliardë lekë vitin e kaluar rreth 35 milionë euro.
Por mosrealizimi i investimeve publike në nivelin 27% reflekton një hendek të lartë midis planifikimit dhe kapaciteteve zbatuese. Ky hendek vjen nga burokracia e tejskajshme në procedurat e prokurimit dhe nga vonesat në proceset e shpronësimit që bllokojnë nisjen e punimeve në terren. Shpesh, projektet nisin pa pasur një studim fizibiliteti të kopsitur mirë, çka detyron rishikimin e tyre gjatë rrugës dhe ngrirjen e fondeve. Ky fenomen tregon se, ndonëse buxheti disponon likuiditet, makineria administrative nuk arrin ta injektojë atë në ekonomi me ritmin e parashikuar.
Pasojat e këtij mosrealizimi janë të shumëfishta dhe prekin drejtpërdrejt ritmin e zhvillimit ekonomik të vendit, duke krijuar kosto, pasi fondet e ngrira në buxhet nuk prodhojnë vlerë. Vonesa në përfundimin e infrastrukturës rrugë, ujësjellës, ne arsim dhe shëndetësi pengon rritjen e produktivitetit të biznesit privat dhe ul cilësinë e jetesës për qytetarët. Ky dështim në injektimin e kapitalit frenon rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pasi investimet publike janë motori kryesor që stimulon konsumin dhe punësimin përmes efekteve zinxhir në sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve./ Monitor.al




