back to top
23.5 C
Tirana
E hënë, 13 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetZgjedhjet 2027/ KQZ u kërkon bashkive listën e qendrave të votimit

Zgjedhjet 2027/ KQZ u kërkon bashkive listën e qendrave të votimit

Edhe pse zgjedhjet lokale janë ende rreth një vit larg, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur zyrtarisht përgatitjet për organizimin e procesit zgjedhor të pranverës 2027.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka dërguar një letër të gjitha bashkive të vendit, duke kërkuar që të nisin menjëherë punën për identifikimin dhe përcaktimin e qendrave të votimit.

Sipas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), autoritetet vendore duhet të propozojnë ambiente publike që do të shërbejnë si qendra votimi, në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Sipas rregullave, qendrat e votimit duhet të jenë kryesisht në shkolla, institucione shtetërore ose qendra komunitare, duke garantuar kushte të përshtatshme për zhvillimin normal të procesit.

KQZ ka theksuar se ambientet e përzgjedhura duhet të sigurojnë akses për qytetarët, neutralitet politik, siguri dhe hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e votimit, përfshirë dhomat e fshehta, kutitë e votimit dhe pajisjet teknologjike. Gjithashtu, kërkohet që këto ambiente të jenë të aksesueshme edhe për personat me aftësi të kufizuara.

Bashkive u është lënë një afat prej 10 ditësh për të dorëzuar listën përkatëse të qendrave të votimit për 61 njësitë vendore në të gjithë vendin.

Sipas Kodit Zgjedhor, periudha e zhvillimit të zgjedhjeve lokale është përcaktuar midis 15 prillit dhe 15 majit, ndërsa procesi i vitit 2027 pritet të ndikohet edhe nga reformat në diskutim për ndarjen territoriale dhe sistemin zgjedhor.

Zhvillimet paraprake konsiderohen si një hap i parë teknik në organizimin e procesit elektoral të ardhshëm në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat