back to top
27.5 C
Tirana
E premte, 17 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaBoom ajror në Shqipëri/ Vend i parë në Europë për fluturimet pas...

Boom ajror në Shqipëri/ Vend i parë në Europë për fluturimet pas pandemisë

Shqipëria rezulton vendi me rritjen më të madhe në Europë për sa i përket fluturimeve komerciale, duke sinjalizuar një zgjerim të ndjeshëm të lidhjes ajrore dhe një rimëkëmbje të fortë të sektorit të turizmit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, vendi ka shënuar një rritje prej 165.2% të fluturimeve komerciale në muajin mars, krahasuar me periudhën para pandemisë. Ky nivel e vendos Shqipërinë në krye të listës europiane, duke tejkaluar ndjeshëm mesataren e kontinentit.

Rritja e ndjeshme lidhet me zgjerimin e ofertës së linjave ajrore, hapjen e destinacioneve të reja dhe rritjen e kërkesës nga turistët e huaj, të cilët po e shohin gjithnjë e më shumë Shqipërinë si një destinacion konkurrues në Mesdhe.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria kryeson me diferencë të madhe. Bosnje-Hercegovina renditet e dyta me 60.1%, ndërsa Serbia regjistron 50.8%. Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje prej 44.2%, ndërsa Mali i Zi paraqitet pothuajse i pandryshuar me vetëm 0.7% rritje, duke treguar një stagnim të trafikut ajror.

Në nivel europian, disa vende turistike kanë përfituar gjithashtu nga rikthimi i lëvizjes ndërkombëtare. Islanda ka regjistruar një rritje prej 62.7%, ndërsa Malta dhe Greqia kanë shënuar rritje të konsiderueshme të fluturimeve komerciale, të ndihmuara nga turizmi sezonal.

Megjithatë, jo të gjitha shtetet kanë ndjekur të njëjtin trend. Rënie të ndjeshme janë regjistruar në disa ekonomi të mëdha europiane, me Slloveninë në -35.1%, Suedinë në -32.4% dhe Gjermaninë në -20.7%, një zhvillim që lidhet me faktorë të ndryshëm ekonomikë, të kërkesës dhe politikave të transportit.

Në tërësi, të dhënat e Eurostat tregojnë një rimëkëmbje të pabarabartë të trafikut ajror në Europë, ku Shqipëria spikat si një nga tregjet me rritjen më dinamike në rajon dhe në kontinent.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat