back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaTatimet në rritje/ Konsumatorët mbajnë peshën e TVSH-së

Tatimet në rritje/ Konsumatorët mbajnë peshën e TVSH-së

Në një periudhë të karakterizuar nga rritja e çmimeve për shkak të përmbytjeve në fillim të vitit dhe efektit zinxhir të konfliktit në Lindjen e Mesme, financat publike në Shqipëri kanë shënuar një performancë pozitive në mbledhjen e të ardhurave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave e Shqipërisë, në tremujorin e parë të vitit 2026 janë mbledhur 205.1 miliardë lekë nga tatimet dhe taksat, duke shënuar një rritje prej rreth 24 miliardë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose 13.3% më shumë.

Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili arriti në 25.2 miliardë lekë, me një rritje prej 19.4% në raport me një vit më parë. Rritja e TVSH-së lidhet ngushtë me inflacionin e çmimeve, veçanërisht në sektorin e karburanteve dhe produkteve bujqësore, të cilat kanë pësuar shtrenjtim pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Ekspertët theksojnë se rritja e çmimeve përkthehet drejtpërdrejt në më shumë të ardhura nga TVSH, pasi kjo taksë paguhet nga konsumatorët në çdo blerje, duke rënduar më tej koston e jetesës.

Ndërkohë, edhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë shënuar rritje, duke arritur në 19.6 miliardë lekë. Po ashtu, kontribut pozitiv kanë dhënë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe vijimi i masave kundër informalitetit gjatë vitit 2026.

Sa i përket të ardhurave nga doganat, ato kanë arritur në 52.9 miliardë lekë, ku peshën kryesore e mban TVSH në import me 35.3 miliardë lekë, e ndjekur nga akcizat dhe taksat doganore.

Nga ana tjetër, shpenzimet publike për të njëjtën periudhë kanë arritur në rreth 156 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 92.9% të planit.

Të dhënat tregojnë një rritje të të ardhurave buxhetore, por në një kohë kur kjo rritje lidhet ngushtë me çmimet më të larta që përballojnë qytetarët, duke reflektuar një balancë të ndjeshme mes performancës fiskale dhe kostos së jetesës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat