Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Edmond Spaho, ka reaguar sërish ndaj drejtimit të opozitës, duke kritikuar protestat dhe strategjinë politike të ndjekur nga kreu i saj, Sali Berisha.
Në një postim publik, Spaho shprehet se për sa kohë Berisha do të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike, opozita nuk do të arrijë të fitojë zgjedhjet, duke i dhënë kështu avantazh kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, pavarësisht rënies së pjesëmarrjes në protesta, drejtuesit aktualë të PD-së vazhdojnë të insistojnë në këtë formë reagimi si mjet kryesor për të rrëzuar qeverinë, një strategji që ai e cilëson të dështuar.
“Insistimi në këtë strategji nuk ka të bëjë me rrëzimin e Ramës, por me ruajtjen e pozitave në krye të partisë dhe mbajtjen pranë të militantëve,” thekson Spaho.
Ai shton se nëse Berisha nuk largohet nga drejtimi i PD-së dhe nëse nuk ka një ndarje nga figura që, sipas tij, kanë dëmtuar partinë në të kaluarën, si Lulzim Basha, demokratët nuk do të arrijnë të fitojnë në asnjë proces zgjedhor.
Spaho apelon për një rinovim të plotë të lidershipit dhe të strategjisë politike, duke sugjeruar një qasje të re që shmang përplasjet dhe tensionet.
“Ekipi i ri drejtues duhet të ndryshojë tërësisht strategjinë politike për t’u rikthyer në pushtet. Jo protesta të dhunshme, jo molotov, jo fjalor agresiv dhe përplasje të panevojshme,” shkruan ai.
Në përmbyllje, ish-deputeti nënvizon se edhe Parlamenti Europian mbështet një opozitë të re dhe të shkëputur nga praktikat politike të dekadave të shkuara.
Deklaratat e Spahos vijnë në një moment debatesh të brendshme në opozitë, mbi drejtimin dhe strategjinë që duhet ndjekur përballë maxhorancës.
Postimi i plotë i Edmond Spahos:



