Raporti vjetor i Qeverisë drejtuar Kuvendit, mbi ecurinë e negociatave me Bashkimi Evropian, ka përfshirë edhe të dhëna mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, në kuadër të kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë shënuar disa zhvillime në ndjekjen penale të korrupsionit në nivele të larta, ku janë hapur 6 hetime të reja dhe janë paraqitur 10 aktakuza të reja. Dokumenti thekson gjithashtu se janë regjistruar edhe 6 vendime gjyqësore të formës së prerë dhe 5 dënime përfundimtare në këtë kategori.
Në tërësi, raporti evidenton një ulje të çështjeve të prapambetura në sistemin gjyqësor. Në fund të vitit 2024, numri i përgjithshëm i çështjeve “backlog” ishte 137,101, rreth 2% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Në Gjykatën e Lartë, reduktimi paraqitet më i ndjeshëm, ku deri më 31 dhjetor 2025 numri i çështjeve të prapambetura ka zbritur në 14,081, duke shënuar një ulje prej 24% krahasuar me vitin 2024 dhe një reduktim kumulativ prej 60% që nga korriku 2020.
Sa i përket krimit të organizuar, raporti nënvizon një aktivitet të qëndrueshëm hetimor gjatë vitit 2025. Janë regjistruar 74 hetime të reja, 18 aktakuza dhe 61 vendime gjyqësore të formës së prerë, duke reflektuar vijimësi në ndjekjen penale dhe vendimmarrjen gjyqësore.
Në fushën e korrupsionit të përgjithshëm (jo niveli i lartë), gjatë vitit 2025 janë regjistruar 878 hetime të reja dhe 236 aktakuza. Po ashtu, janë dhënë 287 vendime gjyqësore të formës së prerë dhe 221 dënime përfundimtare, çka sipas raportit tregon një nivel të lartë të aktivitetit gjyqësor në këtë kategori.
Për sa i përket pastrimit të parave, raporti evidenton 207 hetime të reja dhe 23 aktakuza gjatë vitit 2025, si dhe 16 vendime gjyqësore të formës së prerë dhe 16 dënime përfundimtare.
Në përmbledhje, raporti e vlerëson progresin në këto fusha si të qëndrueshëm, duke theksuar rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale dhe uljen graduale të ngarkesës së çështjeve në sistemin gjyqësor.



