back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 23 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaDosja Gëllçi nuk mbyllet/ Kthehet për rishqyrtim në Apel

Dosja Gëllçi nuk mbyllet/ Kthehet për rishqyrtim në Apel

Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të rikthejë për rishqyrtim çështjen penale ndaj Thoma Gëllçi, duke kërkuar që ajo të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues.

Sipas dispozitivit të vendimit, gjykata supreme ka vendosur “prishjen e vendimit nr. 56, datë 07.12.2022” dhe kthimin e çështjes për rigjykim, një zhvillim që rihap procesin gjyqësor ndaj ish-zyrtarit të lartë të RTSH.

Ky vendim vjen pasi më herët Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Strasburgu) kishte konstatuar shkelje në trajtimin e kësaj çështjeje, duke ngritur pikëpyetje mbi procesin gjyqësor të ndjekur në Shqipëri.

Thoma Gëllçi u hetua për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me një tender të zhvilluar në nëntor të vitit 2018, gjatë kohës kur ai drejtonte RTSH-në. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, me një vlerë prej rreth 86.9 milionë lekësh pa TVSH, që me TVSH arrinte afro 1 milion dollarë.

Ky tender çoi në arrestimin e Gëllçit dhe tre zyrtarëve të tjerë të institucionit, duke u kthyer në një nga çështjet më të diskutuara të drejtësisë shqiptare në lidhje me menaxhimin e fondeve publike.

Rigjykimi i çështjes pritet të hedhë dritë të re mbi përgjegjësitë dhe procedurat e ndjekura, ndërsa mbetet për t’u parë nëse vendimi i ri do të ndryshojë rrjedhën e këtij procesi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat