back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 24 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaPaketa e Maleve/ 40 bashki shpallen prioritare

Paketa e Maleve/ 40 bashki shpallen prioritare

Në mbledhjen e radhës së Këshilli i Ministrave janë marrë disa vendime të rëndësishme, mes të cilave edhe përcaktimi i 40 bashkive si zona prioritare në kuadër të Paketës së Maleve. Këto njësi vendore kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës, ndërsa puna vijon edhe për katër bashki të tjera, si dhe për ato që janë ende në proces.

Në një dalje për mediat, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se interesi nga bashkitë është në rritje dhe se procesi do të zgjerohet gradualisht.

“40 bashki me zona prioritare që kanë paraqitur dokumente dhe janë shpallur të tilla për Paketën e Maleve. Ky proces do të vazhdojë javë pas jave edhe me bashki të tjera. Ka interes të shtuar nga bashkitë dhe puna vijon edhe me katër bashkitë e fundit”, u shpreh ai.

Gjatë konferencës, Demo u ndal edhe te Reforma Territoriale, duke komentuar diskutimet e fundit të zhvilluara në Lezhë nga Komisioni i posaçëm për këtë reformë. Ai iu referua edhe shqetësimeve të ngritura nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, lidhur me funksionimin dhe kompetencat e bashkive.

Sipas ministrit, debati nuk duhet të fokusohet vetëm te numri i bashkive, por mbi të gjitha te funksionet dhe efektiviteti i tyre në shërbim të qytetarëve.

“Është e rëndësishme që të shohim përtej debatit për numrin e bashkive dhe të fokusohemi te funksionimi i tyre. Ka gjithmonë qëndrime të ndryshme mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, dhe kjo është normale”, theksoi Demo.

Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është që bashkitë të kenë më shumë kompetenca dhe garanci ligjore për të përmirësuar shërbimet në territor.

Sa i takon procesit të konsultimeve, ministri bëri të ditur se dëgjesat publike në qarqet e vendit pritet të përmbyllen deri në fund të muajit maj, duke përfshirë qytetarë dhe aktorë të ndryshëm lokalë në diskutimin për reformën territoriale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat