Në një fluturim Milano–New York me një avion Boeing 777, vendi 40L është kthyer në një shembull të qartë të tendencave të reja në industrinë ajrore: më shumë hapësirë për këmbët pranë daljes së emergjencës, por pa dritare. Megjithatë, shqetësimi kryesor për pasagjerët sot nuk është komoditeti në bord, por rritja e fortë e çmimeve të fluturimeve.
Sipas të dhënave të fundit të industrisë, tensionet në Gjirin Persik kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregun e energjisë, duke rritur ndjeshëm çmimin e karburantit të avionëve (kerosenit). Në Europë, çmimi i një ton kerosen ka arritur në rreth 1.484 dollarë, mbi 106% më shumë se një vit më parë, sipas IATA.
Karburanti përbën 35–40% të kostove operative të linjave ajrore, ndërsa për kompanitë low cost ky raport shkon mbi 50%, duke e bërë sektorin veçanërisht të ndjeshëm ndaj luhatjeve të tregut.
Rritja e kostove po reflektohet direkt në biletat e pasagjerëve. Në nivel global, tarifat mesatare të fluturimeve janë rritur me rreth 24% krahasuar me një vit më parë, megjithëse mbeten ende nën nivelet e para pandemisë në terma realë.
Ndikimi nuk ndalet te bileta bazë. Janë rritur gjithashtu çmimet e shërbimeve shtesë, të përdorura nga rreth 40% e pasagjerëve të kompanive low cost dhe 5–10% e atyre të linjave tradicionale. Këto përfshijnë zgjedhjen e vendit, bagazhet dhe ushqimin në bord, të njohura si shërbime “ancillary”.
Sipas të dhënave të industrisë, vetëm në vitin 2025 këto shërbime kanë gjeneruar rreth 157 miliardë dollarë të ardhura globale. Rritjet janë të ndjeshme: bagazhet janë shtrenjtuar me 21–24%, ndërsa zgjedhja e vendit deri në 40%.
Në disa raste, edhe kompanitë që kanë kontrata afatgjata për blerjen e karburantit po përballen me kosto shtesë dhjetëra milionë dollarë në muaj për shkak të rritjes së çmimeve në treg.
Përfaqësues të industrisë paralajmërojnë se pa rritje të të ardhurave nga shërbimet shtesë, disa kompani ajrore rrezikojnë stabilitetin financiar.
Në këtë panoramë, edhe detaje si një vend pa dritare në avion, si 40L në Boeing 777, simbolizojnë një realitet të ri: fluturimet po bëhen më të shtrenjta dhe çdo shërbim po kthehet gradualisht në një kosto më vete për pasagjerët.



