Sateliti “Albania 1”, pjesë e projektit të mbikëqyrjes satelitore të prezantuar nga qeveria për monitorimin e territorit, raportohet se është djegur në atmosferë më 29 janar 2026, duke dalë përfundimisht nga funksioni.
Lajmi është bërë publik nga eksperti i teknologjisë Besmir Semanaj, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi ecurinë, kostot dhe transparencën e projektit satelitor.
Projekti satelitor dhe qëllimi i tij
Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u lëshuan në hapësirë më 3 janar 2023 nga Cape Canaveral në Florida, në kuadër të një marrëveshjeje rreth 6 milionë dollarë mes Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe kompanisë amerikane Satellogic USA Inc.
Në momentin e prezantimit, projekti u cilësua si një hap modern për kontrollin e territorit, me fokus në ndërtimet pa leje, monitorimin e zjarreve, kultivimin e kanabisit dhe çështjet e sigurisë mjedisore e kufitare.
Autoritetet theksonin se teknologjia satelitore do të siguronte të dhëna në kohë reale për institucionet shqiptare, duke ndihmuar në menaxhimin më efikas të territorit.
Pikëpyetje për transparencën
Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, eksperti Semanaj thotë se mungon ende një bilanc i qartë mbi kostot dhe rezultatet konkrete të projektit.
Sipas tij, nuk ka të dhëna zyrtare mbi efektin real të satelitëve në terren, përfshirë numrin e ndërtimeve të paligjshme të zbuluara, parcelat e kanabisit apo rastet e zjarreve të menaxhuara përmes tyre.
Ai ngre gjithashtu pyetjen nëse institucionet do të konfirmojnë zyrtarisht daljen nga funksioni të “Albania 1”, duke theksuar mungesën e transparencës publike për projektin.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet për statusin e satelitit, ndërsa projekti vijon të mbetet objekt diskutimi për koston dhe rezultatet e tij konkrete në terren.




