Drejtues të kompanisë kineze Bankers Petroleum janë paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në zbatim të masave të sigurisë të vendosura ndaj tyre, në kuadër të hetimeve të thelluara që po zhvillohen për një çështje që dyshohet se ka shkaktuar dëme të mëdha financiare ndaj shtetit shqiptar.
Sipas burimeve hetimore, procedimi penal ndaj kompanisë dhe personave të përfshirë është regjistruar më 30 dhjetor 2024, ndërsa hetimet janë zhvilluar pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Më herët, në fillim të korrikut 2025, Prokuroria e Fierit ndërmori një aksion të befasishëm në zyrat qendrore të kompanisë në Shqipëri, duke urdhëruar 14 masa sigurie ndaj punonjësve, ndërsa më pas dosja iu kalua SPAK për kompetencë.
Hetimet janë shoqëruar edhe me metoda proaktive, në bashkëpunim mes strukturave të hetimit tatimor dhe prokurorisë, për të verifikuar aktivitetin financiar të kompanisë gjatë dy dekadave të fundit.
Sipas të dhënave të administruara nga hetimi, kompania ka operuar në Shqipëri nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, duke deklaruar humbje të vazhdueshme në bilancet financiare. Kjo situatë, sipas organit të akuzës, ka sjellë që shteti shqiptar të mos përfitojë të ardhura tatimore nga aktiviteti i nxjerrjes dhe tregtimit të naftës në zonën Patos–Marinëz–Fier, pavarësisht volumit të lartë të prodhimit.
Gjithashtu, rezulton se kompania ka realizuar eksporte dhe shitje brenda vendit në vlerën totale prej rreth 532 miliardë lekësh gjatë periudhës 2004–2024. Megjithatë, në deklarimet tatimore figurojnë shpenzime që tejkalojnë të ardhurat, duke e mbyllur çdo vit ushtrimor me humbje, me një total të deklaruar prej rreth 11.6 miliardë lekësh.
Hetuesit dyshojnë se përmes këtyre skemave financiare është përfituar edhe rimbursim i TVSH-së në vlera të konsiderueshme, duke shkaktuar një dëm që, sipas vlerësimeve paraprake, kap shifra prej miliona eurosh për buxhetin e shtetit.
Hetimet ndaj çështjes vijojnë, ndërsa priten zhvillime të tjera në lidhje me përgjegjësitë e mundshme penale dhe financiare të personave të përfshirë.



