Katër persona që udhëtuan me një fluturim të kompanisë KLM Royal Dutch Airlines, ku ndodhej edhe një pasagjere që më pas humbi jetën nga hantavirusi në Johannesburg, janë vendosur nën monitorim nga autoritetet shëndetësore italiane.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria italiane e Shëndetësisë, e cila thekson se rreziku i përhapjes së virusit në Evropë vlerësohet shumë i ulët.
Sipas autoriteteve, janë aktivizuar procedurat e vlerësimit të rrezikut, mbikëqyrjes dhe koordinimit shëndetësor në përputhje me protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u bazuar edhe në vlerësimet e Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila e konsideron rrezikun për popullatën “të ulët” në nivel global dhe “shumë të ulët” në Evropë.
Katër pasagjerët kanë kaluar tranzit në Romë, ku për pak kohë ka qenë edhe gruaja e infektuar. Të dhënat e tyre janë përcjellë tek autoritetet rajonale në disa zona të Italisë për monitorim aktiv shëndetësor.
Një prej pasagjereve në Florence është vendosur tashmë në karantinë, ndërsa priten rezultatet e analizave për të konfirmuar nëse ka prani të virusit.
Ndërkohë, edhe autoritetet spanjolle po ndjekin situatën, pasi një pjesë e pasagjerëve pritet të zbarkojnë në Tenerife përpara se fluturimi të vijojë drejt Holandës. Sipas të dhënave të fundit, nuk janë identifikuar raste të reja mes 151 pasagjerëve nga 23 vende të ndryshme që ndodheshin në bord.



