back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaRriten kreditë me probleme në Shqipëri/ Qytetarët nën presion financiar

Rriten kreditë me probleme në Shqipëri/ Qytetarët nën presion financiar

Gjithnjë e më shumë qytetarë në Shqipëri po përballen me vështirësi në shlyerjen e kësteve të kredive, në një periudhë kur rritja e çmimeve dhe kostot e jetesës po rëndojnë ndjeshëm buxhetet familjare.

Sipas të dhënave më të fundit të Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ka shënuar një rritje të lehtë, duke arritur në 3.85%, nga 3.8% që ishte në muajin shkurt. Kjo lëvizje sinjalizon një rritje të presionit financiar mbi familjet shqiptare.

Në vlerë absolute, kreditë me probleme kanë arritur në 36.9 miliardë lekë, me një rritje prej 6% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, totali i kredisë për ekonominë ka vijuar të zgjerohet, duke arritur në 958.5 miliardë lekë në fund të marsit, ose 10.6% më shumë se një vit më parë.

Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar më herët për nevojën e kujdesit në dhënien e kredive, veçanërisht për blerjen e banesave. Për këtë arsye, që prej korrikut 2025 janë vendosur edhe masa kufizuese për kreditimin.

Qytetarët shprehen se në shumë raste një pagë e vetme nuk mjafton më për të përballuar këstin e kredisë, qiranë, faturat dhe shpenzimet bazë. Kjo ka detyruar disa familje të shkurtojnë shpenzimet ose të marrin hua shtesë për të mbuluar detyrimet ekzistuese.

Ekspertët financiarë këshillojnë kujdes në marrjen e kredive të reja dhe menaxhim më të mirë të financave personale, ndërsa bankat pritet të forcojnë vlerësimin e aftësisë paguese të klientëve.

Në kushtet e rritjes së kreditimit, mbetet për t’u parë nëse trendi i kredive me probleme do të vijojë në rritje edhe në muajt në vijim, në një periudhë të ndikuar nga pasiguritë ekonomike globale dhe tensionet në Lindjen e Mesme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat