Deputetja Jorida Tabaku ka kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria po menaxhon procesin e integrimit europian, gjatë raportimit të kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane.
Tabaku tha se procesi i integrimit është kthyer në “kryefjalë propagande dhe premtim elektoral”, ndërsa sipas saj mungon debati real mbi reformat dhe impakti i tyre në praktikë.
Ajo kritikoi përmbajtjen e raportit të paraqitur, duke theksuar se pjesa më e madhe e tij përbëhet nga lista ligjesh dhe jo analiza konkrete mbi efektet e tyre.
“Është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh sesa analizë reale për reformën,” u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate ngriti shqetësime edhe për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, duke deklaruar se sipas saj progresi i raportuar nga qeveria nuk pasqyron realitetin.
Ajo përmendi se Shqipëria ka përmbushur vetëm një pjesë të vogël të rekomandimeve të GRECO-s dhe ngriti shqetësime për vonesat në dhënien e drejtësisë.
“Sot një çështje administrative në shkallë të dytë zgjat mesatarisht 14.5 vite,” deklaroi ajo.
Në fjalën e saj, Tabaku u ndal edhe te roli i Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, duke kërkuar sqarime mbi përputhshmërinë e tyre me standardet e Bashkimit Europian.
Një pjesë e rëndësishme e kritikave të saj u fokusua tek prokurimet publike, të cilat ajo i cilësoi si një nga burimet kryesore të korrupsionit në vend. Sipas saj, një pjesë e madhe e tenderëve zhvillohen me një ofertues të vetëm ose pa garë të hapur.
Ajo krahasoi situatën me vende të tjera të rajonit, duke pretenduar se Shqipëria ka nivel më të ulët gare në prokurime publike.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësime për ligjin e investimeve strategjike dhe atë të porteve strategjike, duke i konsideruar problematikë për procesin e integrimit europian dhe në kundërshtim me parimet e transparencës.
“Nuk mund të lejojmë që në emër të integrimit të bëhen përjashtime ligjore,” tha ajo.
Në fund, deputetja demokrate akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe përjashtim të opozitës nga procesi i integrimit, duke theksuar se negociatat nuk mund të zhvillohen pa përfshirje të plotë të të gjitha palëve politike dhe shoqërisë civile.



