Të gjithë individët që pas plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025) rezultojnë me tepricë kreditore apo tatim të mbipaguar, kanë të drejtë të përfitojnë kompensimin në llogaritë e tyre bankare.
Administrata Tatimore sqaron se e drejta për të kërkuar rimbursimin nuk humbet për 5 vite, ndërsa shqyrtimi i kërkesës zgjat deri në 2 muaj nga momenti i aplikimit.
Sipas Drejtores së Procesit të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta, individët mund ta kërkojnë kompensimin në çdo moment brenda afatit 5-vjeçar.
“E drejta për kompensim apo rimbursim nuk humbet për 5 vite. Nëse nuk kërkohet këtë vit, shuma mbetet si tepricë në llogarinë e individëve”, është shprehur Çelmeta.
Kush përfiton kompensim
Përfitues të kompensimit janë:
Prindërit me fëmijë në ngarkim, të cilëve u njihen:
48 mijë lekë zbritje në vit për çdo fëmijë;
deri në 120 mijë lekë shpenzime arsimore për familjet me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit.
Individët pa fëmijë në ngarkim, por që nga rillogaritja vjetore e tatimit rezultojnë me mbipagesë.
Për herë të parë, edhe kjo kategori e fundit do të ketë mundësi të përfitojë rimbursim përmes sistemit DIVA 2025.
Si bëhet aplikimi
Për të marrë kompensimin në llogarinë bankare, individët duhet të aplikojnë online në sistemin e-Filing.
Aplikuesit duhet të plotësojnë formularin me tekstin:
“Unë i nënshkruara XY me numër identifikimi I….. kërkoj të më rimbursohet nëpërmjet llogarisë bankare, shuma e tatimit të mbipaguar me vlerë X lekë pas plotësimit nga DIVA 2025.”
Gjithashtu duhet të ngarkohet:
IBAN-i i llogarisë bankare në format PDF;
certifikata familjare për prindërit me fëmijë në ngarkim;
faturat e fiskalizuara të shpenzimeve arsimore, për ata që kërkojnë njohjen e këtyre shpenzimeve.
Ndërkohë, individët pa fëmijë që rezultojnë me tatim të mbipaguar duhet të dorëzojnë vetëm kërkesën dhe dokumentin e IBAN-it.
Tatimet publikojnë udhëzuesin
Administrata Tatimore ka publikuar edhe një udhëzues për deklarimin korrekt të llogarisë bankare, me qëllim shmangien e vonesave në procesin e rimbursimit.
Sipas Tatimeve, plotësimi i saktë i të dhënave bankare është i domosdoshëm për vijimin e procedurës së kompensimit.
77 mijë individë pritet të përfitojnë
Afati për dorëzimin e DIVA 2025 përfundoi më 31 mars 2026. Në total janë dorëzuar 164,263 deklarata individuale, ose 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga skema për fëmijët nën 18 vjeç.
Sistemi ka gjeneruar një fond prej 1.4 miliardë lekësh për rimbursime, ndërsa deri tani individët kanë kërkuar vetëm 670 milionë lekë për t’u kaluar në llogaritë e tyre bankare.



