Një muaj pas publikimit në rrjete sociale të pretendimeve se kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ishte i infektuar me HIV/AIDS, Struktura e Antiterrorit nga Tirana mësohet se ka mbërritur prej disa ditësh në qytetin e Gjirokastrës për të kryer verifikime lidhur me këtë çështje.
Burime paraprake bëjnë me dije se hetimet lidhen me postime të publikuara nga Emin Kokalari, i cili pretendonte se në Bashkinë e Gjirokastrës kishte disa raste të personave të infektuar me HIV/AIDS, mes tyre edhe vetë kryebashkiaku Flamur Golemi.
Sipas informacioneve, autoritetet kanë marrë në pyetje disa persona me qëllim identifikimin e burimit të informacionit dhe mënyrës së përhapjes së tij në publik. Pretendimet e publikuara kanë shkaktuar reagime dhe shqetësim të madh në qytetin e Gjirokastrës.
Deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare përfundimtare mbi rezultatet e hetimeve dhe ecurinë e procedimit.
Ndërkohë, Bashkia e Gjirokastrës ka depozituar kallëzim penal ndaj shtetasit Emin Kokalari, duke e akuzuar për përhapje të lajmeve të rreme dhe shkaktim paniku në publik. Nëpërmjet avokatit Arben Llangozi, bashkia ka paraqitur një padi prej 30 faqesh, ku kërkohet që personat përgjegjës për përhapjen e informacionit të pavërtetë të përballen me drejtësinë.
Sipas përfaqësuesve ligjorë të bashkisë, publikime të tilla cenojnë rëndë figurën e institucioneve dhe krijojnë pasiguri te qytetarët.



