Detaje të forta janë bërë publike së fundmi lidhur me disa takime të konsideruara “speciale” mes personazheve të njohur të botës së krimit dhe vajzave të ekranit shqiptar, të zhvilluara brenda ambienteve të burgjeve në vend.
Gazetari Flamur Vezaj deklaroi gjatë emisionit “Ma Shqip” se disa të burgosur të njohur kanë realizuar takime romantike në burgjet e Reçit, Fierit, Peqinit, Drenovës dhe Fushë-Krujës, me vajza të njohura të showbiz-it dhe rrjeteve sociale.
Sipas Vezajt, ai disponon video, fotografi dhe dokumente të siguruara nga kamerat e sigurisë së burgjeve, si dhe materiale të filmuara nga vetë protagonistët, të cilat pretendohet se faktojnë hyrjen e vajzave në ambientet e burgjeve për takime me të dënuarit apo të paraburgosurit.
Mes emrave të përmendur është edhe Safet Bajri, për të cilin gazetari tha se ka zhvilluar një takim disaorësh me një vajzë të njohur të showbiz-it me inicialet R.R. Vezaj pretendon se disponon edhe dokumentacion noterial të dorëzuar në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Në listën e personave të përfshirë përmendet edhe Ramazan Rraja nga Fushë-Kruja, i cili sipas deklarimeve është takuar me një vajzë me inicialet F.H., e njohur në fushën e modelimit dhe rrjeteve sociale.
Po ashtu, emri i Redjon Rrajës është përfshirë në këto pretendime. Ai akuzohet për trafik droge dhe thuhet se ka zhvilluar takime me vajza të njohura në rrjetet sociale, të identifikuara me inicialet S.B. dhe I.A.
Sipas gazetarit, takime të ngjashme kanë zhvilluar edhe Leonard Duka me vajza të njohura nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa në listë përmendet edhe Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, i njohur si “ushtar” i vëllezërve Çopja.
Në deklarimet e bëra publike përmendet gjithashtu Artur Haxhiosmani, i akuzuar si pjesë e organizatës italiane “Ndrangheta”, si dhe Leart Haxhiu, për të cilin u tha se ka pasur takim me një vajzë të njohur nga Kosova.
Sipas Vezajt, pjesë e këtyre takimeve ka qenë edhe Gazmend Brraka alias Gaxhai, figurë e njohur e trazirave të vitit 1997.
Ndërkohë, agjentë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dyshojnë se në disa raste mund të jenë falsifikuar dokumente nga noterë dhe punonjës të institucioneve penitenciare për të mundësuar këto takime.
Gazetari ka deklaruar se nuk do të publikojë videot dhe pamjet që disponon, pasi sipas tij ato përmbajnë momente intime dhe mund të cenojnë jetën private të vajzave të përfshira. Ai shtoi se takimet janë kryer me dëshirën e tyre dhe pa presion nga persona të tjerë.



