Ndërsa bie muzgu dhe zyrat e Bashkimit Europian fillojnë të zbrazen, dhjetëra apo qindra qese plehrash shumëngjyrëshe mbijnë në rrugët e Brukselit. Disa qëndrojnë në rreshta gjeometrikisht të rregullta para shtëpive, ndërsa të tjerat gjysmë të hapura, derdhin ushqime, pelena apo mbetje kartoni.
Në disa lagje, sorrat dhe minjtë mbërrijnë para kamionëve që mbledhin këto qese në rrugët e kryeqytetit belg, një qytet pa kosha tradicionalë mbeturinash. Skena është shqetësuese për çdo të sapoardhur.
Grumbujt e qeseve shtrihen pa dallim si përpara dyqanit luksoz “Dior” në rrugën më të pasur tregtare, ashtu edhe përpara shtëpive tipike belge në lagjet artistike.
Për syrin e pamësuar, ky duket si një problem themelor i menaxhimit urban për një qytet që gjeneron rreth një kilogram mbeturina për person në ditë.
“Kur mbërrita në qytet, mendova se kishte ndonjë grevë. Për mua ishte e pakuptueshme të shihja qese plehrash në rrugë”, thotë Sofia Pagni, një avokate italiane që jeton në Bruksel prej gjashtë vjetësh.
“Tani pyes veten nëse jemi në një qytet vërtet të pistë apo nëse këtu mbeturinat janë thjesht janë më të dukshme, ndërsa në vende të tjera si Roma apo Parisi janë të fshehura dhe të organizuara”, shton ajo.
Në fakt ky peizazh mbetjesh plastike nuk është shenjë e kolapsit administrativ, por rregull i sistemit të menaxhimit të mbeturinave të Brukselit.
Ndryshe nga qytetet e tjera europiane, këtu mezi gjenden kontejnerët publikë ose privatë.
Sistemi bazohet plotësisht te mbledhja derë më derë e mbeturinave të klasifikuara në qese me ngjyra të ndryshme. Ky është një nga rregullat e para që duhet të mësoni, pasi orari ndryshon sipas rrugës.

Për shembull, të mërkurën pasdite nxirret qesja e verdhë për letër dhe ajo e bardhë për mbeturina të pariciklueshme. Të enjten në mëngjes nxirret qesja portokalli për mbeturina organike; ndërsa të dielave ajo blu për ambalazhet plastike.
Adel Lassouli, zëdhënëse e agjencisë publike “Bruxelles Propreté”, shpjegon se sistemi ka arsye historike dhe urbanistike. Ai filloi kur mbeturinat nuk klasifikoheshin dhe çdo gjë lihej në trotuar.
“Brukseli është një qytet me popullsi të dendur prej 1.2 milionë banorësh dhe me një strukturë shumë të vjetër urbane. Në rastin e kontejnerëve publikë duhet marrë parasysh hapësira se ku t’i vendosësh, ndaj ishte e natyrshme të zgjidhnim mbledhjen derë më derë”, thotë ai.
Sistemi aktual synon të promovojë riciklimin, zë aktualisht 40 për qind të totalit dhe synon të zgjerohet në 60 për qind. Sipas agjencisë, problemi real qëndron te qytetarët që i nxjerrin thasët me mbeturina jashtë orarit, nuk i mbyllin mirë apo që i braktisin në trotuare mobiliet e vjetra.
Megjithatë, për të kontrolluar 580.000 familje dhe për të vendosur gjoba, në të gjithë qytetin qarkullojnë vetëm njëzet inspektorë.
Ky sistem është gjithashtu pasojë e fragmentimit të qytetit në nëntëmbedhjetë bashki me kompetenca të ndara dhe dallime të mëdha ekonomike.

Qeveria po shqyrton vendosjen e kontejnerëve me një buxhet prej 12 milionë eurosh për tre vitet e ardhshme. Sfida mbetet gjetja e hapësirës. Mbi tokë ato heqin vende parkimi, ndërsa nëntoka është e bllokuar nga tubacionet e gazit dhe ujit.
Ndërsa debati vazhdon, kritikët theksojnë se ky model po e dëmton rëndë imazhin e kryeqytetit europian, duke e bërë atë të ngjajë shpesh me një vendgrumbullim të hapur plehrash.



