back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSkandali i “CopaCabana”/ Lamallari paralajmëron policinë

Skandali i “CopaCabana”/ Lamallari paralajmëron policinë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe drejtues të tjerë të lartë të policisë, kanë zhvilluar një vizitë urgjente në Sarandë pas skandalit të “CopaCabana”, beach bar-it pa leje që solli shkarkimin e kupolës drejtuese të policisë lokale.

Nga Saranda, Lamallari dha një mesazh të fortë ndaj çdo zyrtari apo punonjësi policie që toleron paligjshmërinë, duke theksuar se bregdeti shqiptar është pasuri kombëtare dhe nuk mund të trajtohet si pronë private apo territor interesash personale.

“Saranda dhe gjithë bregdeti shqiptar është pasuri kombëtare. Nëse dikush mendon që interesat publike mund të rreshtohen në kufijtë e vetjakes, e ka shumë gabim. Reagimi i shpejtë i policisë dhe strukturave të mbikëqyrjes ishte mesazhi i parë për javën për të treguar që nuk mund të jetë një lojë dhe ne të presim sa të ndërtohet betoni 7 kate”, deklaroi ministri.

Ai kërkoi hetim të thelluar për të gjithë zinxhirin e përgjegjësive, duke paralajmëruar pasoja për këdo që ka bashkëpunuar apo “flirtuar” me paligjshmërinë.

“Kjo kërkon një hetim të thelluar. Përveç përgjegjësisë direkte të atyre punonjësve që kanë përgjegjësi apo kanë flirtuar me paligjshmërinë, kjo vlen për çdo cep të bregdetit shqiptar. Mesazhi është shumë i qartë: ka dy rrugë për dikë që ka për detyrë të zbatojë ligjin, të bëjë detyrën me nder ose të përballet me pasojat”, u shpreh Lamallari.

Ministri ndaloi edhe te çështja e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, duke theksuar se policia nuk duhet të tolerojë asnjë shkelje, nga manovrat e rrezikshme me automjete deri te armëmbajtja pa leje.

“Do të ishte e papranueshme një xhirim gomash, jo më armëmbajtje pa leje. Punonjësit me uniformë të mos mbyllin sytë, por t’i tregojnë vendin çdokujt. Kjo është arsyeja pse kolegët tuaj sot nuk janë në tavolinë, por po përballen me drejtësinë”, deklaroi ai.

Skandali i “CopaCabana” ka sjellë reagime të forta institucionale, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rolin e drejtuesve dhe efektivëve të policisë në lejimin e aktivitetit të paligjshëm në vijën bregdetare të Sarandës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat