back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 19 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSkënder Hita ultimatum policisë/ "Kush mbron paligjshmërinë largohet nga uniforma"

Skënder Hita ultimatum policisë/ “Kush mbron paligjshmërinë largohet nga uniforma”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë një mesazh të fortë nga Saranda, pas arrestimit të disa drejtuesve dhe efektivëve të policisë të dyshuar për favorizim të ndërtimeve pa leje në qytetin bregdetar.

Në takimin e zhvilluar me strukturat vendore të policisë, Hita deklaroi se askush nuk është mbi ligjin dhe se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë punonjës që bashkëpunon me paligjshmërinë, pavarësisht detyrës apo gradës që mban.

Sipas kryepolicit, ngjarja e ndodhur në një nga komisariatet më të rëndësishme të vendit përbën një goditje serioze ndaj besimit të qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese dhe drejtësia.

“Kur një punonjës policie apo agjencie ligjzbatuese devijon nga ligji, nuk dëmtohet vetëm institucioni, por cenohet besimi i qytetarëve te shteti dhe te drejtësia. Pikërisht për këtë arsye, reagimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm, i fortë dhe pa asnjë kompromis”, deklaroi Hita.

Ai theksoi se është i vendosur të pastrojë radhët e Policisë së Shtetit nga çdo efektiv që mbron apo favorizon shkelësit e ligjit, duke paralajmëruar masa të forta disiplinore dhe penale ndaj kujtdo që abuzon me detyrën.

“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmërinë. Kush bashkëpunon me shkelësit e ligjit, nuk ka vend në radhët e policisë”, mësohet të ketë theksuar drejtori i përgjithshëm gjatë takimit.

Hita ndaloi edhe te problematika e ndërtimeve pa leje, duke nënvizuar se këto fenomene dëmtojnë zhvillimin urban, cenojnë pronën publike dhe private, por godasin edhe imazhin turistik të Sarandës dhe gjithë bregdetit shqiptar.

Në këtë kuadër, ai kërkoi bashkëpunim më të ngushtë mes Policisë së Shtetit, IMT-së, IKMT-së dhe pushtetit vendor për të parandaluar raste të ngjashme dhe për të garantuar kontroll të plotë të territorit.

Në prag të sezonit turistik, drejtori i Policisë së Shtetit paralajmëroi zero tolerancë ndaj çdo forme paligjshmërie, duke theksuar se uniformat blu do të jenë në terren për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit.

Në fund të fjalës së tij, Hita u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi, korrupsioni apo neglizhence nga ana e punonjësve të policisë, ndërsa garantoi se çdo shkelës do të përballet me drejtësinë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat