back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialePas qumështit për bebe, tjetër skandal te “Rossmann & Lala”/ Biskota me...

Pas qumështit për bebe, tjetër skandal te “Rossmann & Lala”/ Biskota me toksina myku në treg

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të biskotave gjermane “EnerBiO Dinkel Waffeln Natur”, të tregtuara në rrjetin e supermarketeve “Rossmann & Lala”, pasi në produkt janë konstatuar nivele mbi normat e lejuara të mykotoksinave, të njohura ndryshe si toksina të mykut.

Alarmi është dhënë fillimisht nga kompania gjermane “Dirk Rossmann GmbH”, e cila ka kërkuar tërheqjen parandaluese të produktit nga tregu për shkak të rrezikut të mundshëm për konsumatorët.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, bëhet fjalë për produktin:

“EnerBiO Dinkel Waffeln Natur”
EAN: 4305615676876 / DAN 055700
Datë skadence: 18.01.2027

Institucioni bën me dije se subjekti importues ka nisur menjëherë tërheqjen e artikullit nga të gjitha pikat e shitjes, pa dallim loti apo date skadence, ndërsa po vijojnë verifikimet dhe kontrollet përkatëse.

AKU u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë ende në përdorim, të mos e konsumojnë dhe ta rikthejnë pranë marketeve ku është blerë.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që përfshin produkte të tregtuara në “Rossmann & Lala”, pas alarmit të mëparshëm për qumësht pluhur për bebe të moshës 0-2 vjeç, çka ka shtuar shqetësimet për sigurinë ushqimore dhe kontrollet mbi produktet e importuara.

Në njoftimin e saj, AKU thekson se po ndjek procedurat ligjore për verifikimin e plotë të rastit, ndërsa paralajmëron masa ndaj çdo subjekti që shkel standardet e sigurisë ushqimore.

Mykotoksinat konsiderohen substanca të rrezikshme që prodhohen nga myku dhe mund të kenë efekte të dëmshme për shëndetin, sidomos te fëmijët dhe personat me imunitet të dobët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat