Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar sërish lidhur me debatin për emërimin e prokurorit Ols Dado në vitin 2008, duke sqaruar se procedura është ndjekur sipas ligjit të kohës dhe se përgjegjësia për administrimin e garës i takonte institucionit të Prokurorisë.
Në një intervistë për News24, Topi deklaroi se në atë periudhë procesi i përzgjedhjes së prokurorëve administrohej nga Këshilli i Prokurorisë, nën drejtimin e kryeprokurores së asaj kohe, Ina Rama.
Sipas tij, Presidenti kishte vetëm rolin formal kushtetues për të dekretuar emërimet që vinin nga Prokuroria pas përfundimit të garës.
“Historia është kjo: Çdo periudhë kohore ka ligjet e veta. Bëhet fjalë për vitin 2008. Në atë kohë institucioni i Prokurorisë që administronte garën për prokurorët e rinj, e administronte brenda institucionit të vet, nëpërmjet funksionimit të Këshillit të Prokurorisë, ku sipas ligjit dhe rregullave kishte një vend edhe për përfaqësuesin ligjor të institucionit të Presidentit. Në përfundim të garës vinte një komunikim kushtetues formal nga institucioni i Prokurorisë për te Presidenti për të bërë dekretin. E gjitha është konsumuar sipas ligjit atje”, u shpreh Topi.
Ish-kreu i shtetit ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe më herët, duke theksuar se emërimi i Ols Dados është realizuar mbi bazën e procedurave të ndjekura nga Prokuroria dhe jo nga Presidenca.
Deklaratat e Bamir Topit vijnë në një moment kur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kërkesëpadi në Gjykatën Administrative për shpalljen të pavlefshme të emërimit të Ols Dados si prokuror.
Sipas pretendimeve të Veliajt, Dado është emëruar në detyrë pa përfunduar Shkolla e Magjistraturës, çka sipas tij ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë e emërimit.



