back to top
23.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaTransferim i pazakontë ajror/ Avioni i Air Albania ndryshon pronësi dhe regjistrim,...

Transferim i pazakontë ajror/ Avioni i Air Albania ndryshon pronësi dhe regjistrim, përfundon në Rusi

Një avion tip Airbus A320, i cili deri dy vite më parë ka qenë pjesë e flotës së Air Albania, është transferuar në një linjë ajrore ruse dhe ka mbërritur së fundmi në Moskë me regjistrim të ri RA-73899, sipas të dhënave nga platforma e specializuar “Planespotters”.

Bëhet fjalë për një Airbus A320-232 me numër serial 4934, i prodhuar në vitin 2011. Fillimisht, avioni iu dorëzua kompanisë Etihad Airways, ku mbante regjistrimin A6-EIO.

Më pas, gjatë vitit 2022, avioni kaloi në pronësi të kompanisë amerikane të lizingut GA Telesis, ndërsa në mars të vitit 2023 u vendos në operim nga Air Albania nën regjistrimin ZA-MMK dhe emrin “Fishta W”.

Sipas të dhënave të publikuara, fluturimi i fundit komercial me ngjyrat e Air Albania është kryer më 22 korrik 2024, pas së cilit avioni është dërguar në Stamboll për ruajtje. Në vitin 2025, ai i është kthyer zyrtarisht pronarit të mëparshëm.

Më 14 prill 2026, avioni ka fluturuar nga Stambolli drejt Muscat në Oman, ndërsa më 15 maj ka kryer fluturimin e dorëzimit drejt Moskës Vnukovo, ku ka marrë regjistrimin rus RA-73899 dhe është futur në flotën e North-West Air Company.

Sipas Planespotters, ky transferim nuk është rast i izoluar, pasi kompania ruse ka shtuar në flotë edhe avionë të tjerë të prodhimit perëndimor, përfshirë një Airbus A320neo në vitin 2024.

Raportimet ndërkombëtare theksojnë se, pas sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, blerja e drejtpërdrejtë e avionëve Airbus dhe Boeing është ndaluar, si dhe shërbimet e mirëmbajtjes dhe lizingut nga kompanitë perëndimore.

Megjithatë, sipas mediave të huaja dhe burimeve të specializuara, disa linja ajrore ruse vazhdojnë të sigurojnë avionë të prodhimit perëndimor përmes ndërmjetësve dhe rrugëve të tërthorta përmes vendeve të treta si Turqia dhe Omani.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat