back to top
30.5 C
Tirana
E martë, 26 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaHita jep porosi për verën/ Masa të forta ndaj zjarrvënieve dhe krimeve

Hita jep porosi për verën/ Masa të forta ndaj zjarrvënieve dhe krimeve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me strukturat policore në Kukës dhe Dibër, përfshirë Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Kukës, si dhe strukturat kufitare të Dibrës.

Në qendër të diskutimeve ishin prioritetet kryesore të punës policore, si sezoni turistik, siguria në shkolla, siguria rrugore, parandalimi i zjarrvënieve, rritja e performancës dhe ofrimi i një shërbimi më cilësor për qytetarët.

Gjatë takimeve, Hita kërkoi disiplinë të lartë në punë, rritje të performancës në terren dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, duke theksuar nevojën për ndjekjen në kohë reale të konflikteve dhe problematikave të raportuara.

Ai u ndal gjithashtu te lufta kundër armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, goditja e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, si dhe parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike në zona të hapura dhe të mbyllura. Po ashtu, kërkoi vëmendje të shtuar ndaj dhunës në familje, lojërave të fatit, krimeve mjedisore, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve ekonomike e kufitare.

Një fokus i veçantë iu kushtua sigurisë në shkolla dhe sigurisë rrugore, ku Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal deri në fund të vitit shkollor, si dhe prani më të shtuar të Policisë Kriminale pranë institucioneve arsimore për parandalimin e elementeve kriminale.

Në lidhje me trafikun rrugor, Hita kërkoi monitorim intensiv me mjete inteligjente në të gjitha akset nacionale, duke theksuar shmangien e ndalesave të panevojshme dhe përdorimin e teknologjisë për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve.

Për qendrat urbane, ai kërkoi masa të forta ndaj parkimeve të paligjshme, manovrave të rrezikshme, xhirimeve të gomave dhe automjeteve me marmita të modifikuara që shkaktojnë zhurma dhe shqetësim për qytetarët.

Siguria e turistëve u cilësua gjithashtu prioritet, ndërsa për Policinë Kufitare u kërkua përmirësim i shërbimit, shtim i sporteleve në periudha fluksi dhe komunikim me etikë ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.

Në fund të takimeve, Hita u ndal edhe te problematika e zjarrvënieve, duke kërkuar masa parandaluese të menjëhershme në prag të sezonit veror, bashkëpunim me njësitë administrative dhe monitorim të personave të dyshuar për zjarrvënie në vitet e kaluara.

Ai theksoi se do të mbështesë çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri, ndërsa do të jetë i ashpër ndaj çdo abuzimi me detyrën dhe besimin e qytetarëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat