Kryeministri Edi Rama, pak para nisjes për në Bruksel, mori pjesë në konferencën “From Property to Progress – Nga Prona te Progresi”, ku u ndal te procesi i integrimit europian dhe sfidat që Shqipëria ka hasur ndër vite në çështjen e pronave.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm të negociatave me Bashkimin Europian, duke nënvizuar se Shqipëria ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve negociues.
“Ky moment është shumë i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me fundin e fazës së parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe me hapjen e një faze të re. Ne kemi hapur të gjithë grupkapitujt me piketat e përcaktuara dhe tashmë hyjmë në fazën e mbylljes”, deklaroi Rama.
Ai vuri theksin te rëndësia e përmbushjes së kritereve, veçanërisht për kapitullin 23 që lidhet me drejtësinë, si një nga kushtet kryesore për avancimin e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit.
Kryeministri foli edhe për procesin e dixhitalizimit, të cilin e konsideroi një element kyç për modernizimin e vendit dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Sa i përket çështjes së pronave, Rama e cilësoi situatën në Shqipëri si një nga më kompleksat në rajon, duke kujtuar se pas rënies së regjimit komunist vendi kaloi nga një sistem me pronë tërësisht shtetërore në një periudhë ku, sipas tij, shteti humbi kontrollin mbi territorin.
Sipas kreut të qeverisë, lëvizjet demografike të viteve ’90 dhe zënia e tokave nga persona të ndryshëm krijuan konflikte të shumta me pronarët e ligjshëm, ndërsa procesi u shoqërua edhe me falsifikime dokumentesh dhe vendime gjyqësore problematike.
“Shkonin dhe kërkonin në gjykatë 5 hektarë dhe merrnin 200 me vendim gjykate”, u shpreh Rama, duke akuzuar sistemin e mëparshëm gjyqësor për humbjen e sipërfaqeve të konsiderueshme shtetërore.
Ai u ndal edhe te ligji 7501, duke argumentuar se megjithëse synonte t’u jepte familjeve fermere të drejtën e përdorimit të tokës, në praktikë krijoi hapësira për abuzime dhe përvetësime të paligjshme.
“Kemi parë edhe plazhe dhe pjesë të detit të përvetësuara në këtë mënyrë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër që të ketë hartë të detit dhe parcela të tij”, tha kryeministri.
Në përfundim, Rama theksoi se qeveria hartoi një legjislacion të ri për trajtimin e çështjes së pronave, i cili sipas tij ka marrë edhe miratimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.



