Pas bashkëpunimit të heshtur për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në Kuvend, mazhoranca dhe opozita kanë ndryshuar papritur role, duke shfaqur tensione dhe debate të forta në publik, në një përplasje që shihet më shumë si teatër politik për konsum mediatik sesa konflikt real.
Një debat i ashpër u regjistrua gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale mes bashkëkryetarëve Luçiano Boçi dhe Arbjan Mazniku, ku shkak u bë dhënia e fjalës për pjesëmarrësit në mbledhje.
Boçi akuzoi mazhorancën për ndërprerje të fjalës dhe mungesë etike në drejtimin e komisionit, ndërsa Mazniku këmbënguli se prej më shumë se dy orësh opozita kishte monopolizuar diskutimet dhe se maxhoranca nuk kishte marrë ende fjalën.
“Nuk bëhet kjo sfidë se jemi live, nuk e pranoj diçka të tillë. Mos u bëj si kalama o burrë ta mbaroj unë”, deklaroi Boçi gjatë debatit të tensionuar.
Nga ana tjetër, Mazniku reagoi duke i marrë mikrofonin bashkëkryetarit dhe duke vijuar drejtimin e mbledhjes.
“Patjetër që do e marr mikrofonin. Bëre parashtrimin, more fjalën. Sot nuk mund të vazhdohet me abuzimin sistematik të opozitës”, u shpreh ai.
Përplasja kulmoi me largimin e Boçit nga salla, ndërsa mbledhja vijoi nën drejtimin e Maznikut.
Debati vjen në një kohë kur palët politike janë akuzuar shpesh për marrëveshje të heshtura në prapaskenë për miratimin e ligjeve të rëndësishme, ndërsa në publik shfaqin përplasje dhe tensione politike, që sipas kritikëve synojnë më shumë krijimin e perceptimit të konfliktit sesa një debat real politik.



