back to top
19.5 C
Tirana
E hënë, 1 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetRama reagon pas protestës/ “Ma sillni projektin dhe e anulojmë”

Rama reagon pas protestës/ “Ma sillni projektin dhe e anulojmë”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin publik për projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit, duke hedhur poshtë pretendimet se ekziston një projekt i gatshëm për t’u anuluar dhe duke kritikuar ashpër atë që e cilëson si “dezinformim dhe manipulim publik”.

Në një postim në rrjetin social X, Rama deklaron se projekti është ende në fazë hartimi dhe po zhvillohet nga disa studio arkitekturore ndër më të njohurat në botë. Sipas tij, procesi përfshin bashkëpunimin e pesë studiove ndërkombëtare, të cilat po punojnë për konceptin arkitektonik të një investimi që e cilëson si “historik”.

Kryeministri përmendi konkretisht arkitektët dhe studiot: Kengo Kuma (Japoni), Bjarke Ingels Group (Danimarkë), Jean Nouvel (Francë), Emre Arolat (Turqi) dhe K-Studio (Greqi), duke theksuar se projekti do të prezantohet publikisht sapo të përfundojë faza e dizajnit.

“Ma sillni projektin dhe e anulojmë. Por nuk ka projekt për t’u anuluar, sepse është në proces pune,” shkruan Rama, duke iu përgjigjur kërkesave të protestuesve dhe kritikëve të projektit.

Ai ka kritikuar gjithashtu pretendimet që e lidhin investimin me përfshirje izraelite, duke i cilësuar ato si propagandë dhe dezinformim. Sipas tij, investitorët janë partnerë amerikanë dhe përfaqësues nga Katari, të cilët i cilëson si “miq të çmuar të Shqipërisë”.

Në reagimin e tij, Rama u ndal edhe te deklarimet për natyrën e investimit dhe ndikimin e tij në zonën e mbrojtur, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt të madh turistik që synon të zhvillojë potencialin e vendit në Mesdhe.

Ai shtoi se përhapja e, siç i quan ai, “gënjeshtrave dhe manipulimeve” po dëmton opinionin publik dhe po krijon një perceptim të gabuar mbi investimin. Kryeministri i drejtoi kritika edhe organizatorëve të protestave, duke i akuzuar për keqpërdorim të ndjenjave qytetare dhe për përhapje të narrativave të pavërteta.

Rama përfundoi reagimin e tij duke theksuar se projekti do të bëhet publik në momentin e duhur dhe se, sipas tij, zhvillimi i zonës përfaqëson një hap të rëndësishëm për turizmin shqiptar në nivel ndërkombëtar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat