Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun ne Partinë Demokratike, Jola Hysaj, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë, duke deklaruar se nuk e mbështet atë dhe se e sheh “si një re të zezë, jo si një rreze drite mbi Shqipërinë”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hysaj shprehet se ka qenë pjesë e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës për 13 vite, por thotë se protesta aktuale i ka ngjallur dyshime që në ditën e parë.
Sipas saj, organizatorët nuk synojnë zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por po përdorin pakënaqësinë e tyre për interesa të tjera.
“Unë që kam protestuar 13 vjet për ato halle dhe jam rritur e jam bërë mam në protesta, e kam parë këtë protestë me dyshim të madh që ditën e parë. Por sot e shoh si një re të zezë, jo si një rreze drite mbi Shqipërinë”, shkruan Hysaj.
Në reagimin e saj, ish-zyrtarja demokrate kritikon edhe praninë e aktivistëve të huaj në protestë, duke pyetur se çfarë kërkon, sipas saj, “një motër majtiste nga Italia” në Shqipëri. Ajo shprehet gjithashtu kundër aktivistëve ambientalistë nga vende të tjera evropiane, duke i akuzuar se nuk përfaqësojnë interesat e shqiptarëve.
Hysaj shprehet se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë më shumë nga qeveria, por sipas saj, organizatorët e protestës nuk kanë si prioritet zgjidhjen e halleve të tyre.
“Këtu po luhet keq, po goditet Shqipëria nën brez dhe jo që nuk ikën Edi Rama me këtë lojë të pistë, po koha do tregojë që Edi Rama do i nxjerrë jashtë loje të gjithë këta. Ama koston e lojës do ta paguajë Shqipëria”, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, Hysaj thotë se është larguar nga Partia Demokratike kur, sipas saj, alternativa ndaj qeverisë u shndërrua në protesta me dhunë dhe molotovë, ndërsa shton se protesta e fundit, për shkak të aktorëve që i janë bashkuar, po e bën ta shohë kryeministrin Edi Rama “si njeriun më normal të kësaj valleje marramendëse për Shqipërinë”.



