back to top
36.3 C
Tirana
E shtunë, 27 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaKush mban përgjegjësi për vendimet e rrëzuara të Vetingut në Strasburg?

Kush mban përgjegjësi për vendimet e rrëzuara të Vetingut në Strasburg?

Edhe pse procesi i vetingut ka përfunduar zyrtarisht në Shqipëri, shqyrtimi i vendimeve të tij vijon në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, ku disa çështje të ish-subjekteve të rivlerësimit mbeten ende në gjykim.

Këtë e ka ngritur në vëmendje Instituti i Studimeve Politike (ISP), i cili thekson se vetëm gjatë javës së fundit GJEDNJ ka dhënë tre vendime që lidhen me procesin e vetingut, ndërsa çështje të tjera vijojnë të shqyrtohen. Sipas ISP-së, një bilanc statistikor i paraqitur nga gjyqtari shqiptar në GJEDNJ tregon gjendjen aktuale të proceseve në Strasburg, por debati, sipas institutit, nuk duhet të kufizohet vetëm te shifrat.

ISP rendit katër çështje që, sipas tij, kërkojnë vëmendje pas përfundimit të procesit të vetingut.

Së pari, shtrohet pyetja se si do të zbatohen vendimet e GJEDNJ për subjektet që kanë fituar në Strasburg, cilat do të jenë pasojat juridike dhe institucionale, si dhe afatet e standardet për ekzekutimin e tyre.

Një tjetër aspekt lidhet me përgjegjësinë morale dhe profesionale të trupave të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe monitoruesve ndërkombëtarë në rastet kur GJEDNJ ka arritur në përfundime të ndryshme nga ato të institucioneve shqiptare. Sipas ISP-së, mbetet për t’u parë nëse këto vendime do të reflektohen në vlerësimin e punës dhe karrierës së personave që kanë marrë vendimet e kontestuara.

Instituti ndalet edhe te kostoja financiare e procesit. Sipas tij, përveç detyrimeve që rrjedhin nga vendimet e GJEDNJ, shteti shqiptar ka përballuar shpenzime të konsiderueshme gjatë zbatimit të reformës në drejtësi, ndërsa subjektet që kanë fituar në Strasburg mund të kenë qenë të privuara nga të drejta financiare që, sipas ISP-së, duhet të rillogariten dhe të marrin zgjidhje.

Në fund, ISP ngre çështjen e nevojës për një bilanc institucional të reformës në drejtësi. Sipas institutit, edhe pse procesi i vetingut është mbyllur, reforma vazhdon të jetë objekt shqyrtimi në GJEDNJ dhe për këtë arsye duhet të hartohet një raport përfundimtar ku të pasqyrohen sukseset, mangësitë, përgjegjësitë dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i saj.

Instituti i Studimeve Politike shprehet se ka monitoruar procesin e vetingut që prej nisjes së tij dhe vlerëson se zhvillimet e vitit të fundit kanë konfirmuar një pjesë të gjetjeve dhe rekomandimeve të publikuara më herët në raportin për pesëvjetorin e reformës. Sipas ISP-së, rekomandimet për përmirësimin e procesit nuk u morën në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, ndërsa mbeten të pazgjidhura çështje që lidhen me konfliktet e interesit, standardet e dyfishta, ndikimet e jashtme dhe nevojën për një drejtësi më funksionale, më profesionale dhe me më shumë integritet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat