Gjykata e Lartë do të shqyrtojë më 16 korrik rekursin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila kërkon shuarjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra”.
Balluku i është drejtuar Gjykatës së Lartë pasi kërkesa e saj për heqjen e kësaj mase u rrëzua fillimisht nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si dhe më pas nga Apeli i GJKKO-së.
Relator i çështjes është caktuar gjyqtari Ilir Panda.
Ndërkohë, hetimet ndaj saj janë zgjeruar, pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) e ka regjistruar Ballukun edhe si person nën hetim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, përveç akuzës për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas pretendimeve të SPAK, hetimet lidhen me dy procedura prokurimi me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluara në periudhën kur Balluku drejtonte Albcontrol.
Prokuroria pretendon se tenderët janë fituar në kundërshtim me ligjin nga një kompani ndërtimi, ndërsa në këmbim dyshohet se është përfituar një vilë në Dhërmi me vlerë rreth 145 mijë euro. Kjo pasuri është sekuestruar më herët me vendim të GJKKO-së.
Hetimet vijojnë, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë në mes të muajit korrik.



