KreuAktualitetPolitikaKoçeku zbulon bisedën me Ramën/ "Më tha se nuk e njeh mirë...

Koçeku zbulon bisedën me Ramën/ “Më tha se nuk e njeh mirë Dukagjinin”

Deputetja Marjana Koçeku ka folur për herë të parë në detaje pas largimit nga Partia Socialiste dhe vendimit për të vijuar mandatin si deputete e pavarur. E ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ajo deklaroi se vendimi i saj ka qenë i menduar prej kohësh dhe se protestat për Thethin kanë ndikuar që ta ndërmarrë atë në këtë moment.

Koçeku u shpreh se si deputete e pavarur do të ketë më shumë liri për të mbrojtur kauzat që mbështet, veçanërisht ato që lidhen me mjedisin dhe zonën që përfaqëson.

“Vendimi nuk ka ndodhur menjëherë. Ka qenë i menduar nga ana ime, por protesta ka pasur ndikimin e vet për të menduar se është momenti i duhur. Fikja e telefonit ka qenë për të mos u ndikuar nga askush. Vendimin e kam konsultuar vetëm me ndërgjegjen time”, tha ajo.

Deputetja tregoi se gjatë kohës që ishte pjesë e grupit parlamentar të PS-së ka ngritur vazhdimisht shqetësime për çështje mjedisore, investimet në zonën e Dukagjinit, si dhe për mbrojtjen e arkitekturës dhe problematikat me hipotekat.

Sipas saj, i ka paraqitur disa herë kryeministrit Edi Rama kërkesat për zonën që përfaqëson, ndërsa zbuloi edhe një bisedë me të lidhur me Dukagjinin.

“Në takimin me kryeministrin më ka thënë se është një zonë që nuk e kam hasur kurrë dhe nuk e di mirë çfarë bëhet aty. Edhe në podcast është shprehur se nuk ka qenë asnjëherë në Dukagjin, që nuk është një zonë e parëndësishme”, u shpreh Koçeku.

Duke komentuar raportin me Partinë Socialiste, ajo theksoi se është zgjedhur deputete edhe falë mbështetjes që ka marrë përtej elektoratit tradicional socialist.

“Kur jam bërë pjesë e PS jam bërë me imazhin tim dhe kam qenë pjesë aktive e fushatës. Votat nuk kanë ardhur vetëm nga ndjekësit e PS-së, por edhe nga elektorati gri, falë njohjeve të mia”, deklaroi deputetja.

Koçeku foli edhe për reagimet pas largimit të saj nga PS, duke thënë se ka pasur kolegë socialistë që e kanë mbështetur privatisht dhe kanë respektuar vendimin e saj.

Sa i përket protestave në Theth dhe statusit të publikuar prej saj në rrjetet sociale, deputetja tha se askush nuk e ka detyruar ta publikojë apo ta fshijë atë.

“Besoj se ndërhyrja që u bë në Theth u bë në mënyrë të gabuar sa i përket kohës, arrogancës dhe fyerjes që u bë, pavarësisht parregullsive që kishte atje”, tha Koçeku.

Ajo sqaroi gjithashtu se ka qenë e pranishme në protestë dhe do të vazhdojë t’i mbështesë qytetarët, duke ruajtur një distancë të caktuar politike.

Në fund, deputetja theksoi se do ta vijojë mandatin si e pavarur dhe nuk ka ndërmend t’i bashkohet asnjë grupimi politik.

“Do të vazhdoj si deputete e pavarur deri në fund. Do të jem zë kritik. Nuk synoj asnjë grupim”, përfundoi Marjana Koçeku.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat