KreuOpinion dhe AnalizëPse, Edi Rama dështoi të sigurojë organizimin e samitit të NATO-s në...

Pse, Edi Rama dështoi të sigurojë organizimin e samitit të NATO-s në Shqipëri?

Përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të siguruar organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa sjellja dhe qasja e tij gjatë takimit të liderëve të aleancës në Ankara kanë shkaktuar rezerva te disa prej aleatëve. Kështu shkruan Bloomberg në një analizë të publikuar së fundmi, duke iu referuar burimeve të njohura me diskutimet e zhvilluara me dyer të mbyllura.

Sipas prestigjiozes amerikane, Rama kishte lobuar intensivisht që Shqipëria të merrte të drejtën e organizimit të samitit të NATO-s. Për këtë qëllim, qeveria shqiptare ndërmori hapa konkretë për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje, duke siguruar kredi për blerje armatimi dhe duke përmbushur objektivin minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, siç kërkohet nga aleanca.

Bloomberg thekson se Shqipëria ka kaluar nga niveli 1.48% i PBB-së për mbrojtjen në vitin 2025 në 2.15% të parashikuar për vitin 2026, pas miratimit të një kredie prej 302 milionë dollarësh nga SHBA për pajisje ushtarake.

Megjithatë, sipas raportimit, stili i veçantë dhe shpesh informal i kryeministrit shqiptar nuk është parë pozitivisht nga të gjithë pjesëmarrësit në samit. Rama, i njohur për mënyrën jo konvencionale të komunikimit me liderët botërorë dhe për veshjen e tij me atlete të bardha në aktivitetet zyrtare, tërhoqi vëmendjen edhe gjatë samitit në Ankara.

Agjencia amerikane shkruan se gjatë fotos familjare të liderëve të NATO-s, sekretari i përgjithshëm Mark Rutte ia vuri në dukje atletet e Ramës presidentit amerikan Donald Trump, i cili njihet për preferencën e tij ndaj etikës tradicionale të veshjes në takime zyrtare.

Një tjetër moment që, sipas Bloomberg, shkaktoi habi te disa delegacione ishte kur Rama iu referua presidentit turk Recep Tayyip Erdogan me termin “sulltan” gjatë një seance me dyer të mbyllura. Edhe pse komenti mendohet të ketë qenë në formë shakaje dhe në kontekstin e marrëdhënieve të afërta mes dy liderëve, ai nuk u prit mirë nga të gjithë të pranishmit.

Burimet e cituara nga Bloomberg pretendojnë se Rama ka qenë mjaft këmbëngulës në kërkesën që Shqipëria të organizojë samitin e NATO-s në vitin 2027, duke deklaruar se kishte marrë një premtim nga Mark Rutte për këtë çështje. Madje, sipas tyre, ai ka sugjeruar se çdo paqartësi mund të zgjidhet përmes një komunikimi me presidentin Donald Trump.

Në deklaratën përfundimtare të samitit nuk u përcaktua vendi dhe data e organizimit të takimit të ardhshëm të NATO-s, megjithëse më herët ishte bërë e ditur se Shqipëria do të ishte vendi mikpritës i një samiti pas Turqisë.

Bloomberg vlerëson se me rritjen e kërkesave të administratës Trump ndaj vendeve anëtare për shpenzimet ushtarake, Shqipëria është vendosur nën një vëzhgim më të rreptë nga aleatët për përmbushjen e angazhimeve të saj në mbrojtje.

Analiza ndalet edhe te investimet e familjes Trump në jug të Shqipërisë, duke kujtuar mbështetjen që qeveria Rama i ka dhënë projekteve turistike të Jared Kushner. Megjithatë, sipas Bloomberg, këto resorte nuk pritet të përfundojnë përpara vitit 2029 dhe nuk mund të shërbejnë si faktor në organizimin e një samiti të NATO-s në një afat më të afërt.

Sipas agjencisë amerikane, pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe financiare të Tiranës, organizimi i samitit të NATO-s mbetet ende një objektiv i pasigurt për Shqipërinë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat