Protestat qytetare të pagëzuara si “Revolucioni Flamingo” kanë hyrë në ditën e 48-të, duke vijuar të kenë në qendër të tyre kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, krahas protestave, janë shtuar edhe debatet mes figurave publike që i mbështesin apo komentojnë zhvillimet e tyre.
Së fundmi, aktivisti Taulant Muka ka reaguar sërish përmes rrjeteve sociale, duke kritikuar ashpër atë që ai e quan “çeta e mikrofonit”, një term që përdor për disa prej personave që marrin fjalën gjatë protestave.
Muka vë në pikëpyetje mënyrën e organizimit të protestave dhe retorikën e përdorur ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Sipas tij, sulmet e vazhdueshme ndaj SPAK-ut nuk mbështeten në njohuritë bazë të procedurave ligjore dhe krijojnë keqinformim te qytetarët.
Ai kritikoi edhe veprimin simbolik të dërgimit të një libri në SPAK, duke e cilësuar atë si një “show”, ndërsa theksoi se kërkesat për arrestimin e zyrtarëve të lartë nuk varen vetëm nga Prokuroria e Posaçme.
“Çeta e mikrofonit vazhdoi edhe dje me parullat anti-SPAK. Pasi bënë show dhe u tallën me qytetarët duke çuar në SPAK një libër, e jo një kallëzim penal, tani vazhdojnë të pyesin pse SPAK nuk e fut në burg Belinda Ballukun apo Edi Ramën”, shkruan Muka.
Aktivisti nënvizon se heqja e imunitetit të një deputeti është kompetencë e Parlamentit dhe jo e SPAK-ut, duke argumentuar se Prokuroria e Posaçme nuk mund të mbahet përgjegjëse për vendime që nuk i takojnë juridiksionit të saj.
“A kanë njohuritë bazë ligjore? A e dinë se heqja e imunitetit të një deputeti nuk është në dorën e SPAK-ut, por është kompetencë e Parlamentit? Fajin SPAK e ka që Parlamenti nuk i heq imunitetin Ballukut?”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Muka shkon edhe më tej, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e kritikave të vazhdueshme ndaj SPAK-ut dhe duke sugjeruar se koha do të tregojë nëse pas kësaj retorike qëndrojnë interesa personale të individëve të përfshirë në organizimin apo mbështetjen e protestave.
“Pse ky irritim i vazhdueshëm ndaj SPAK-ut? Mos vallë disa nga njerëzit që qëndrojnë pas kësaj çete kanë dosje në SPAK? Koha do ta tregojë”, përfundon reagimi i aktivistit.



