Raporti përfundimtar i Partisë Socialiste për reformën territoriale nuk përcakton një numër të ri bashkish, por paraqet katër skenarë të mundshëm për riorganizimin e hartës administrative të vendit.
Dokumenti prej 357 faqesh, i përgatitur nga grupi i punës së PS-së për Reformën Territoriale, nuk përmban një hartë konkrete apo një propozim për numrin përfundimtar të bashkive që do të funksionojnë pas reformës së mundshme.
Raporti nis me argumentimin e bashkëkryetarit socialist të komisionit, Arbër Mazniku, i cili vlerëson se ndarja aktuale administrative, e miratuar 12 vite më parë, nuk i përgjigjet më realitetit demografik dhe ekonomik të Shqipërisë.
Sipas Maznikut, ndryshimet në shpërndarjen e popullsisë, zhvillimi i pabarabartë ekonomik dhe vështirësitë financiare të disa njësive vendore kërkojnë një rishikim të hartës aktuale.
“Shqipëria e sotme nuk ka më të njëjtën shpërndarje të popullsisë dhe të aktivitetit ekonomik që kishte kur u përcaktua ndarja aktuale administrative. Disa zona janë rritur, ndërsa të tjera kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë”, thuhet në raport.
Katër skenarët e paraqitur nga PS përfshijnë modele të ndryshme organizimi. I pari parashikon decentralizim asimetrik duke ruajtur numrin aktual të bashkive, ndërsa skenarët e tjerë parashikojnë bashkime të niveleve të ndryshme dhe ndryshime në shpërndarjen e funksioneve mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
Një prej varianteve lidhet me krijimin e bashkive më të mëdha që do të ushtrojnë të gjitha funksionet, ndërsa një tjetër parashikon bashki të fokusuara vetëm në funksionet bazë dhe rialokim të kompetencave.
Raporti identifikon tre prioritete kryesore që, sipas autorëve, duhet të shoqërojnë çdo model të ri reformimi: përcaktimin më të qartë të funksioneve të bashkive, ndarjen e kompetencave mes pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore, si dhe forcimin e sistemit të financimit të njësive vendore.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet edhe autonomisë fiskale. Sipas raportit, vetëm bashkimi i disa bashkive nuk garanton automatikisht një njësi më të fortë financiarisht.
“Bashkimi mund të ulë disa kosto administrative, por nuk krijon vetvetiu bazë të re tatimore”, thuhet në dokument, duke nënvizuar se reforma duhet të trajtojë njëkohësisht madhësinë e bashkive, burimet financiare dhe kostot reale të shërbimeve.
Raporti sjell edhe të dhëna për varësinë e bashkive nga transfertat e qeverisë qendrore. Sipas analizës, Tirana paraqitet si një nga bashkitë me varësinë më të ulët, rreth 22%, ndërsa Vlora dhe Saranda rreth 25% dhe Durrësi rreth 39%.
Në anën tjetër, disa bashki të vogla rezultojnë me varësi shumë të lartë nga financimi qendror, mes tyre Hasi, Pusteci dhe Këlcyra.



