KreuAktualitetEkonomiaPse Aeroporti i Vlorës ishte propagandë elektorale?/ Fatura e dështimit do të...

Pse Aeroporti i Vlorës ishte propagandë elektorale?/ Fatura e dështimit do të prekë xhepat e shqiptarëve

Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Vlorës, Atir Hoxha, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me situatën e Aeroportit të Vlorës, duke akuzuar qeverinë se e përdori projektin për propagandë elektorale dhe duke ngritur shqetësime për mënyrën e menaxhimit të kontratës koncesionare.

Në reagimin e tij, Hoxha rikujton se gjatë fushatës elektorale të majit 2025, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku organizuan uljen e avionit të parë në pistën e aeroportit, një veprim që, sipas tij, synonte të krijonte përshtypjen se aeroporti do të hynte shumë shpejt në funksion.

Sipas këshilltarit demokrat, më shumë se një vit pas atij momenti, realiteti është krejt ndryshe, pasi punimet nuk kanë përfunduar ende dhe projekti ka tejkaluar afatin e parashikuar.

Hoxha e cilëson Aeroportin e Vlorës si një shembull të mënyrës së qeverisjes së mazhorancës, duke pretenduar se projekti është shoqëruar me mungesë transparence, probleme në zbatimin e kontratës dhe mungesë përgjegjësie institucionale.

Ai thekson se prej fillimit ka ngritur pikëpyetje mbi procedurën e përzgjedhjes së koncesionarit dhe mbi mënyrën se si është administruar një investim që, sipas tij, duhej të përfaqësonte një mundësi të rëndësishme zhvillimi për Vlorën dhe gjithë jugun e vendit.

Në postimin e tij, Hoxha shprehet se pas më shumë se katër vitesh, projekti është përballur me konflikte mes ortakëve, procese gjyqësore, ndërprerje të punimeve dhe tashmë edhe me mundësinë e një arbitrazhi ndërkombëtar. Ai ngre shqetësimin se nëse shteti shqiptar përballet me pasoja financiare nga një proces i tillë, kostoja do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë.

Këshilltari i PD-së kërkon përgjegjësi politike nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Ai i referohet edhe deklaratave publike të një prej ortakëve të projektit, sipas të cilit ndarja e aksioneve të aeroportit është vendosur në zyrën e ministres Balluku, pretendim për të cilin kërkon sqarime nga qeveria.

Sipas Hoxhës, institucionet duhet të japin transparencë të plotë mbi mënyrën se si është hartuar kontrata koncesionare, si është monitoruar zbatimi i saj dhe përse një projekt me rëndësi kombëtare ka përfunduar në një situatë që, sipas tij, rrezikon ta çojë Shqipërinë në një konflikt të kushtueshëm ndërkombëtar.

Në përfundim të reagimit, Atir Hoxha shprehet se Aeroporti i Vlorës duhej të ishte një projekt zhvillimi dhe krenarie për qytetin dhe jugun e Shqipërisë, por, sipas tij, rrezikon të mbetet simbol i propagandës politike, keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë. Ai shton se, nëse çështja përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, faturën nuk do ta paguajnë drejtuesit e qeverisë, por qytetarët shqiptarë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat