Shqipëria po përballet me një paradoks ekonomik, ku ekonomia është zgjeruar ndjeshëm, ndërsa numri i banorëve në vend është ulur.
Nga viti 2011 deri në vitin 2023, prodhimi i brendshëm bruto është rritur me rreth 80% në vlerë nominale, ndërsa të ardhurat për frymë janë dyfishuar. Në të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të Censit 2023, popullsia rezidente e Shqipërisë ka zbritur në rreth 2.4 milionë banorë, rreth 420 mijë më pak se në vitin 2011.
Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare ka arritur të rrisë prodhimin dhe të ardhurat, por mbi një bazë gjithnjë e më të vogël popullsie.
Sipas një analize të treguesve ekonomikë, aktiviteti ekonomik dhe të ardhurat mesatare janë rritur vitet e fundit, por në këtë ecuri kanë ndikuar edhe faktorë të jashtëm, mes tyre zhvlerësimi i euros.
“Ka disa mënyra se si mund të masësh aktivitetin ekonomik në të vërtetë, se sa është masa e popullatës që është aktive në ekonomi. Kjo nuk të thotë ty sa është totalisht popullata në tërësi, por të jep një ndjesi sepse zakonisht minimumi 80% e popullatës angazhohet në aktivitete ekonomike”, thuhet në analizë.
Një tjetër tregues që ngre pikëpyetje lidhet me numrin e familjeve dhe kontratave të energjisë elektrike. Sipas të dhënave të Censit 2023, në Shqipëri janë regjistruar rreth 755 mijë familje, ndërsa numri i klientëve familjarë të energjisë arrin rreth 1 milion, ose rreth 275 mijë kontrata më shumë se numri i familjeve.
Një pjesë e këtij diferencimi mund të shpjegohet me banesat e dyta apo pronat në pronësi të emigrantëve. Megjithatë, analiza sugjeron se këta tregues mund të përdoren për të kuptuar më mirë numrin real të personave që jetojnë dhe konsumojnë në Shqipëri.
“Nga këto më pas ka mënyra se si derivon se sa vërtetë persona janë në Shqipëri”, argumentohet më tej.
Edhe lista e zgjedhësve krijon një diferencë të konsiderueshme. Numri i zgjedhësve ka qenë rreth 3.7 milionë, në një periudhë kur ende nuk ishte miratuar votimi nga diaspora, duke krijuar një hendek të madh me shifrën prej rreth 2.4 milionë banorësh të regjistruar nga Censi.
Sipas kësaj qasjeje, nëse numri i personave që jetojnë dhe ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri do të ishte realisht shumë më i lartë, edhe treguesit e të ardhurave dhe fuqisë blerëse do të duhej të ishin të ndryshëm.
“Nëse vërtetë do të ishim 3.6 milionë siç është numri i votuesve brenda që kryejnë aktivitetin ekonomik në Shqipëri, atëherë edhe niveli mesatar i të ardhurave, por edhe fuqia blerëse do të ishte më e lartë se çfarë na rezulton aktualisht”, thuhet në analizë.
Në këtë logjikë, vlerësimi është se numri real i personave që banojnë në Shqipëri mund të jetë më i lartë se shifra zyrtare e Censit, duke u afruar në 3.8-3.9 milionë.
Megjithatë, diferencat mes këtyre treguesve nuk mund të interpretohen automatikisht si provë se popullsia reale është kaq e lartë. Numri i zgjedhësve, kontratat e energjisë dhe të dhënat e konsumit përfshijnë edhe faktorë si emigrantët, banesat e dyta dhe persona që nuk janë rezidentë të përhershëm.
Paradoksi mbetet: Shqipëria ka rritur ekonominë dhe të ardhurat për frymë, ndërkohë që Censi tregon një rënie të fortë të popullsisë rezidente. Kjo e bën edhe më të rëndësishme kuptimin e saktë të numrit të njerëzve që jetojnë dhe kontribuojnë realisht në ekonominë e vendit.



