Ka përfunduar pas rreth 5 orësh marrja në pyetje në SPAK e ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.
Tare është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve për dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai dyshohet për veprën penale të “Pastrimit të parave”, pasi emri i tij është përdorur, sipas hetimeve, si “prestanome” për të fshehur pronësinë e dy vilave që dyshohet se i përkasin Ballukut.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Tare u shpreh shkurt para gazetarëve, duke thënë se nuk kishte shumë për të deklaruar.
“Gjithçka që kisha, e deklarova aty”, tha ai.
Në qendër të hetimit është edhe vila në Palasë, e cila është sekuestruar nga SPAK, pas një tjetër prone të sekuestruar në zonën e Dhërmiut.
Hetimet kanë rënduar pozitat penale të Belinda Ballukut, e cila akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera” të kryer në bashkëpunim, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, më shumë se një herë.
Në këtë çështje janë nën hetim edhe biznesmeni Arbër Abazi dhe kompania e tij “Alko Impex General Construction”, ndërsa Igli Tare, i cili rezulton pronar në letra i vilës, akuzohet për “Pastrim parash”.



