KreuAktualitetPolitika“17 ligje me porosi”/ Tabaku denoncon mazhorancën në Komitetin BE-Shqipëri

“17 ligje me porosi”/ Tabaku denoncon mazhorancën në Komitetin BE-Shqipëri

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet procesi ligjvënës dhe për rolin e Kuvendit në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, të zhvilluar në Tiranë, Tabaku tha se opozita dhe Partia Demokratike e mbështesin anëtarësimin e vendit në BE, por do të vijojnë të denoncojnë, sipas saj, rastet kur standardet europiane nuk respektohen.

“Ne kemi qenë dhe jemi mbështetës të procesit të integrimit europian, por njëkohësisht kemi qenë kritikë sa herë që ky proces ka dalë nga binarët”, u shpreh Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, një nga problemet kryesore lidhet me mënyrën se si po miratohen ligjet. Ajo tha se Kuvendi fillimisht është kthyer në një “noter të qeverisë”, ndërsa tashmë po përdoret edhe për të kaluar nisma të cilat, sipas saj, paraqiten nga deputetët e mazhorancës për të shmangur konsultimin publik dhe debatin parlamentar.

“Po shohim nisma që paraqiten nga deputetë të mazhorancës me afate të shkurtra, pa dëgjuar grupet e interesit dhe pa zhvilluar një debat të shëndetshëm. Në këtë mënyrë, qeveria shmang përgjegjësinë dhe kontrollin parlamentar”, deklaroi ajo.

Tabaku tha se kjo mënyrë e hartimit dhe miratimit të ligjeve po lë jashtë procesit qytetarët, sindikatat dhe grupet e interesit. Ajo iu referua edhe raportit të vitit 2026 të Komisionit Europian për shtetin e së drejtës, duke theksuar se në të janë evidentuar probleme me konsultimet dhe paraqitjen në momentin e fundit të disa nismave ligjore.

Një pjesë të fjalës së saj deputetja e PD-së ia kushtoi edhe agjencive dhe shoqërive publike. Ajo përmendi KAYO, tenderat në fushën e teknologjisë së informacionit, Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve, për të cilat pretendoi se po krijohen struktura që i shmangen kontrollit parlamentar, auditimit dhe rregullave të prokurimit publik.

Tabaku paralajmëroi se e njëjta praktikë mund të shtrihet edhe në sektorin e shëndetësisë me agjencinë e paralajmëruar nga qeveria. Sipas saj, krijimi i strukturave të tilla duhet të jetë në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe procesi i negociatave me BE-në.

Deputetja tha gjithashtu se opozita ka ngritur shqetësime për të paktën 17 nisma që i cilëson si “ligje me porosi”. Mes tyre përmendi ligjin për investimet strategjike, ndryshimet për zonat e mbrojtura dhe “Paketën e Maleve”.

Në fund të fjalës, Tabaku u ndal te marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës, duke përmendur edhe refuzimin e kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen KAYO, si dhe mënyrën se si, sipas saj, po zhvillohen reformat zgjedhore dhe territoriale.

“Integrimi europian nuk mund të jetë vetëm një proces teknik i qeverisë. Ai kërkon një parlament funksional, kontroll real të ekzekutivit, respektim të opozitës dhe reforma konsensuale”, tha Tabaku.

Ajo kërkoi që Kuvendi të krijojë më shumë hapësirë për dialog politik dhe reforma konsensuale, duke e lidhur këtë me procesin e integrimit europian dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat