Nga Partia Demokratike te Partia Socialiste, nga Lulzim Basha te Erion Veliaj e Arben Ahmetaj, dokumentet amerikane tregojnë një histori të gjatë të kontratave për lobim, këshillim dhe përfaqësim në Uashington. Por sa janë paguar dhe çfarë është kërkuar në këmbim?
– Në Uashington nuk lobojnë vetëm shtetet dhe kompanitë e mëdha. Edhe politika shqiptare ka përdorur prej vitesh kompanitë amerikane për të krijuar kontakte me administratën dhe Kongresin amerikan, për të përcjellë mesazhe politike apo për të përfaqësuar interesa konkrete.
Të dhënat e FARA-s për Shqipërinë tregojnë aktualisht disa raste të regjistruara si Partia Demokratike, Arben Ahmetaj, Erion dhe Arber Veliaj, ndërsa në regjistër figuron edhe kompania shqiptare Delvina Gas Company.
PD dhe kontrata 6-milionëshe
Një nga rastet më të mëdha është ai i Partisë Demokratike, e regjistruar në FARA si klient i Continental Strategy LLC.
Marrëveshja e regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë parashikon një pagesë prej 250 mijë dollarësh në muaj për 24 muaj. Nëse kontrata zbatohet për të gjithë periudhën, vlera arrin në 6 milionë dollarë.
Lobimi i PD në SHBA (Dokumenti zyrtar)
Dokumentet e FARA-s e regjistrojnë PD-në si “foreign principal” dhe Continental Strategy si kompaninë amerikane që e përfaqëson.
Këtu nuk mbaron historia. Dokumentet e depozituara në SHBA tregojnë edhe aktivitetet e kompanisë në emër të PD-së, përfshirë kontakte me persona në Uashington dhe shpërndarje materialesh politike.
| Data e paraqitjes | Shiko Dokumentin | Numri i regjistrimit | Emri i Regjistruesit | Lloji i Dokumentit |
|---|---|---|---|---|
| 31/07/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 24/07/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 07/03/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 16/05/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 05/08/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 05/08/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 05/08/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 28/04/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 28/04/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 28/04/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 28/04/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 28/04/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Materiale Informative |
| 24/04/2025 | Partia Demokratike e Shqipërisë | 7545 | Continental Strategy LLC | Prova AB |
Lulzim Basha, një tjetër kontratë në SHBA
Edhe Lulzim Basha ka përdorur një kompani amerikane lobimi.
Lobimi naga Lulzim Basha (Dokumenti)
Në shkurt 2025, Basha lidhi një marrëveshje me Sonoran Policy Group, kompani që vepron në fushën e marrëdhënieve me qeverinë dhe diplomacisë.
Ky rast është i ndryshëm nga kontrata e PD-së me Continental Strategy, pasi bëhet fjalë për një angazhim të lidhur me Bashën si klient.
Partia Socialiste dhe lobimi në Uashington
Lobimi nuk është histori vetëm e opozitës. Në vitin 2017, Partia Socialiste e Shqipërisë u regjistrua si “foreign principal” e kompanisë amerikane Ballard Partners. Dokumenti i depozituar në FARA konfirmon se PS ishte shtuar si klient i kompanisë.
Pra, historia e lobimit shqiptar në SHBA nuk nis me kontratën e PD-së të vitit 2025. Ajo shkon të paktën disa vite më herët.
LSI dhe Ilir Meta, qindra mijëra dollarë për lobim në Uashington
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për lobim në Shtetet e Bashkuara, me dokumentet e Departamentit amerikan të Drejtësisë që tregojnë dy kontrata të ndryshme në periudhën 2016–2017.
Në shkurt 2016, LSI lidhi një marrëveshje me kompaninë amerikane Global Security and Innovative Strategies (GSIS). Sipas kontratës së depozituar në FARA, kompania do të këshillonte LSI-në, drejtuesit, deputetët dhe anëtarët e qeverisë për çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare. Pjesë e objektivit ishte edhe komunikimi me qeverinë amerikane dhe vende partnere për qëndrimet e LSI-së mbi reformën në drejtësi, ekonominë, sigurinë dhe bujqësinë.
Tarifa e përcaktuar në kontratë ishte 30 mijë dollarë në muaj, ndërsa shpenzimet për udhëtime, akomodim dhe aktivitete të tjera do të rimbursoheshin veçmas, sipas kushteve të marrëveshjes.
Dokumentet financiare të FARA-s tregojnë se vetëm gjatë vitit 2016 LSI i pagoi GSIS 267,804 dollarë, ndërsa deri në janar 2017 pagesat totale të deklaruara për kompaninë arritën në 297,804 dollarë, duke përfshirë edhe një pagesë prej 30 mijë dollarësh në janar 2017.
Por lobimi i LSI-së nuk u ndal këtu.
Në janar 2017, LSI dhe Ilir Meta lidhën një tjetër marrëveshje me kompaninë amerikane McKeon Group. Dokumenti i FARA-s përcaktonte si objektiva të kontratës organizimin e pjesëmarrjes në inaugurimin e presidentit Donald Trump, takime me drejtues në Uashington dhe krijimin e marrëdhënieve me administratën e re amerikane dhe Kongresin.
Për këtë shërbim, tarifa ishte 15 mijë dollarë në muaj, me një kontratë fillestare gjashtëmujore. Dokumenti parashikonte gjithashtu rimbursimin e shpenzimeve të arsyeshme.
Dokumentet e FARA-s tregojnë se McKeon Group mori një pagesë prej 15 mijë dollarësh nga LSI më 29 mars 2017, të regjistruar si pagesë për shërbime të marrëdhënieve me publikun.
Sipas dokumentacionit të publikuar në atë kohë, GSIS kishte siguruar për Metën takime me anëtarë të Kongresit amerikan dhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Në këto aktivitete përfshihej edhe një vizitë e Metës në Uashington në maj 2016 dhe një tjetër në qershor të po atij viti.
Pra, vetëm në periudhën e dokumentuar 2016–2017, pagesat e LSI-së për këto dy kompani amerikane arrijnë në mbi 300 mijë dollarë, pa llogaritur të gjitha shpenzimet që mund të jenë rimbursuar veçmas.
Në atë kohë, LSI deklaroi se kontrata me GSIS ishte miratuar nga kryesia e partisë dhe se financimi do të mbulohej nga burimet e lejuara për partitë politike, përfshirë buxhetin, kuotat e anëtarësisë dhe donacionet.
Dokumentet origjinale:
Kontrata LSI–GSIS, FARA: Shih dokumentin PDF
Kontrata LSI/Ilir Meta–McKeon Group, FARA: Shih dokumentin PDF
Deklarimi financiar i McKeon Group në FARA: Shih dokumentin PDF
Erion Veliaj: 300 mijë dollarë si pagesë fillestare
Një tjetër rast është ai i Erion dhe Arber Veliaj. Në mars 2025, ata u regjistruan në FARA si klientë të Kasowitz Benson Torres LLP.
Dokumenti i kontratës është veçanërisht interesant. Firma amerikane deklaron se do të ofronte këshillim mediatik, strategjik dhe ligjor lidhur me hetimin e SPAK ndaj Erion Veliajt.
| Date Filed | View Document | Registration # | Registrant Name | Document Type |
|---|---|---|---|---|
| 05/14/2026 | Erion and Arber Veliaj | 7558 | Kasowitz LLP | Informational Materials |
| 05/14/2026 | Erion and Arber Veliaj | 7558 | Kasowitz LLP | Informational Materials |
| 10/01/2025 | Erion and Arber Veliaj | 7558 | Kasowitz Benson Torres LLP | Informational Materials |
| 03/22/2025 | Erion and Arber Veliaj | 7558 | Kasowitz Benson Torres LLP | Exhibit AB |
Kontrata parashikonte një retainer fillestar prej 300 mijë dollarësh.
Dokumenti sqaron se kjo shumë do të përdorej për pagesat dhe shpenzimet e firmës dhe se pjesa e papërdorur do të kthehej pas përfundimit të çështjes.
Arben Ahmetaj dhe 90 mijë dollarët
Në regjistrin FARA figuron edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, përmes kompanisë Prism Strategy Inc.
Dokumentet e Departamentit amerikan të Drejtësisë tregojnë se kompania do të ofronte këshillim dhe shërbime ligjore, politike dhe për të drejtat e njeriut, si dhe do të lobonte te qeveria amerikane dhe Kongresi për çështje që lidhen me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, korrupsionin dhe çështje të tjera të përcaktuara në marrëveshje.
| Date Stamped | View Document | Registration # | Registrant Name | Document Type |
|---|---|---|---|---|
| 11/30/2024 | Arben Ahmetaj | 6419 | Prism Strategy, Inc. | Informational Materials |
| 05/31/2024 | Arben Ahmetaj | 6419 | Prism Strategy, Inc. | Informational Materials |
| 05/31/2024 | Arben Ahmetaj | 6419 | Prism Strategy, Inc. | Informational Materials |
| 01/25/2024 | Arben Ahmetaj | 6419 | Prism Strategy, Inc. | Exhibit AB |
Për periudhën gjashtëmujore që përfundonte më 31 tetor 2024, në dokumentet FARA deklarohen 90 mijë dollarë.
Jo vetëm politikanët lobojnë
Regjistri amerikan tregon edhe kompani shqiptare që kanë angazhuar firma amerikane.

Një prej tyre është Delvina Gas Company, e cila figuron si klient i Mercury Public Affairs. Dokumentet e depozituara në tetor 2025 identifikojnë kompaninë shqiptare si klient dhe përcaktojnë informacionin e kontaktit për marrëveshjen.
Lobimi I Delvina Gaz (Dokumenti)
Pra, në Uashington paguhet edhe për përfaqësimin e interesave të biznesit.
E Vërteta .al do të sjellë ditët në vijim se sa para kanë shpenzuar partitë, politikanët dhe bizneset shqiptare për të pasur një zë në Uashington dhe sa prej këtyre parave janë përkthyer në rezultate konkrete?
E Vërteta.al (E.S)



