KreuAktualitetPolitikaRama shkarkon Vlora Hysenin

Rama shkarkon Vlora Hysenin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas masës së arrestit shtëpiak të vendosur nga SPAK ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama ka bërë të ditur se lirimi i Hysenit nga detyra do të jetë i menjëhershëm dhe se, pas kthimit të tij në Tiranë, do të nisë procedura për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SHISH, në konsultim me Presidentin e Republikës.

Rama ndodhet aktualisht në Nju Jork, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri shprehet se është informuar për masën e sigurisë ndaj Hysenit dhe thekson se çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe të zbardhet përmes procesit gjyqësor.

“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, shkruan Rama.

Ai ka theksuar gjithashtu parimin e prezumimit të pafajësisë, duke kundërshtuar gjykimin publik të personave që përballen me drejtësinë përpara një vendimi përfundimtar të gjykatës.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, shprehet kryeministri.

Rama thotë se qeveria nuk do të ndërhyjë në çështjen konkrete dhe se fajësia apo pafajësia e Hysenit do të përcaktohet vetëm nga organet e drejtësisë.

Në fund të reagimit, ai e bën të qartë vendimin për drejtimin e SHISH: “Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat