Policia duhet të jetë institucioni i parë që respekton dhe zbaton rregullat e qarkullimit. Por një denoncim ngre pikëpyetje për mënyrën se si veprohet në Vorë.
Sipas qytetarit denoncues, thuajse çdo natë automjetet e Policisë së Komisariatit nr. 7 në Vorë parkohen në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin. Ai pretendon se kjo situatë është përsëritur edhe pas ankesave të banorëve.
Në mesazhin e tij, denoncuesi shkruan se një efektiv i Policisë i ka thënë se shefi i komisariatit, Loris Dervishi, ka dhënë porosi që automjetet të qëndrojnë aty dhe se nuk pyet për askënd, pasi pretendon se ka “lidhje të larta”.
“Shifeni pak makinat e policisë së kom nr. 7 në Vorë, vijojnë përsëri në mes të rrugës si të jenë gango. Një polic më ka thënë se ka thënë Lorisi, shefi i komisariatit, aty rrini se s’pyes për njeri, unë se kam lidhje shumë lart. Ok, po ne pse na gjobisni?”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Pretendimi ngre një tjetër pyetje: nëse qytetarët ndëshkohen me gjoba për shkelje të rregullave të parkimit dhe qarkullimit, a duhet që të njëjtat rregulla të zbatohen edhe për automjetet e Policisë?
Vox News nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e qytetarit lidhur me urdhrin që ai ia atribuon shefit të komisariatit apo pretendimet për “lidhje të larta”. Megjithatë, nëse automjetet e Policisë parkojnë në mënyrë të tillë që pengojnë qarkullimin, çështja mbetet një problem që kërkon sqarim nga strukturat përgjegjëse.
Në fund të fundit, qytetarët që gjobiten për shkeljen e rregullave kanë të drejtë të presin që edhe ata që kanë për detyrë t’i zbatojnë këto rregulla të japin shembullin e parë.



