Nëse mendoni që Tirana dhe bregdeti janë mbingarkuar me ndërtime, nuk keni parë gjë akoma. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat që mblidhen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja kanë shënuar një rritje rekord në 6 muajt e parë të vitit, duke ia kaluar ndjeshëm edhe 2024-s, që deri tani ishte viti me më shumë leje.
Në total, për 6 mujorin e parë 2026 janë arkëtuar nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, ose tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%).
Edhe në krahasim me vitin 2024, që deri tani mbante rekordin e dekadës së fundit për të ardhurat nga kjo taksë lejet e sipërfaqes më të lartë të lejeve të dhëna, të ardhurat mëse janë dyfishuar (+120%).
Për krahasim, në gjithë vitin 2024, u dhanë sipas të dhënave zyrtare të INSTAT lejë për rreth 2 milionë metra katro sipërfaqe ndërtimi.
Tirana mban rekord, 68% e të ardhurave
Kryeqyteti shqiptar ka qenë kryeqendra e valës së ndërtimeve të dekadës së fundit. Ndërsa duket se nuk ka mbetur më vend pa u ndërtuar, ritmet pritet të përshpejtohen në vitet në vijim.
Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 68% e të ardhurave në 6 mujorin e parë 2026 kanë ardhur nga Bashkia Tiranë, ose 12.5 miliardë lekë, që është gati sa shuma e arkëtuar për gjithë vitin 2025 dhe 362% më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s, ose gati 5 herë më shumë (në 6 muajt e parë të 2025-s u arkëtuan 2.7 miliardë lekë).
Duke llogaritur që taksa e infrastrukturës në Tiranë është sa 8% e çmimit të shitjes për metër katror, mbi çmimet referuese të tregut, sipërfaqja e dhënë për ndërtim i korrespondon një vlere ndërtimesh prej 156 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro.
Ndryshimi i fundit i çmimeve referuese për apartamentet në Bashkinë Tiranë është bërë në korrik 2023, me VKM nr. 457, datë 26.07.2023. Çmimet e reja hynë në fuqi në fund të korrikut 2023 dhe zbatohen për 32 zonat kadastrale të Tiranës, çka nënkupton që rritja e të ardhura është tërësisht si rrjedhojë e shtimit të sipërfaqes së dhënë për leje ndërtimi.
Për krahasim, në vitin 2025, sipas të dhënave nga formimi bruto i kapitalit fiks, investimet në banesa në të gjithë vendin ishin 222 miliardë lekë dhe në ndërtesa dhe struktura të tjera 260 miliardë lekë. Vetëm në 6 mujorin e parë, lejet në Tiranë ishin sa 70% e gjithë investimeve për banesa në vend në 2025-n.
Himara dhe Saranda do të përballen me valë të re ndërtimesh
Jo vetëm Tirana, edhe bregdeti do të ketë një valë tjetër ndërtimesh, sidomos jugu. Rekordin e mban Himara. Të ardhurat e arkëtuara nga kjo bashki ishin 1.2 miliardë lekë, ose 301% më shumë se 6 mujori i parë 2025.
E treta nga vlera është Durrësi, me 841 milionë elëk, me rritje 58%.
Saranda ka arkëtuar 478 milionë lekë, ose gati 7 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s.
Ndërsa duket sikur në Golem nuk ka më vend për të ndërtuar, të ardhurat nga taksa e infrastrukturës u rritën me 37%.
Heshtje statistikore për lejet e ndërtimit
Që prej fillimit të vitit 2025, botimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve. Megjithatë, VKM nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar*, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive.
Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT, të dhënat e publikuara bazohen vetëm në burimet bashkiake.
Në mungesë të përditësimit të të dhënave nga INSTAT për sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, që raporton prej gati një viti vetëm pushtetin vendor dhe jo lejet e Këshillit Kombëtare të Territorit dhe Ujit (KKTU), të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë treguesi më i saktë për përmasat që pritet të marrë ndërtimi në vend.
Muajt e fundit Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi e zhvillimi ku përfshihen projekte turizmi, rezidencialë, infrastrukturë publike, ndërhyrje në energji dhe transport. Këto leje nuk raportohen në statistikat zyrtare, duke krijuar mungesë transparence për atë se çfarë pritet të ndodhë realisht me një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë, që vitet e fundit ka shërbyer si kanalizues i parasë informale, siç rezultoi qartë nga hetimet e SPAK. Mungesa e transparencës nuk lejon analizën e sektorit, që vitet e fundit është përballur me një paradoks ku çmimet rriteshin ndjeshëm bashkë me ofertën dhe kërkesa zyrtare nuk e justifikonte këtë tendencë. Për më tepër, dhe ekspozimi i sektorin bankar është rritur ndjeshëm, me stokun e kredisë për pasuri të paluajtshme që përbën rreth 52% të totalit./monitor.al



