Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë kanë ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila refuzoi të shqyrtojë në themel padinë që kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit për emërimin e Ols Dados në detyrën e prokurorit.
Në njoftimin e bërë publik nga pala paditëse, thuhet se gjykata e shkallës së parë e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi, pa hyrë në shqyrtimin e pretendimeve mbi mënyrën se si Dado është emëruar prokuror në vitin 2008.
Sipas padisë, në momentin e emërimit Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, sipas pretendimit të palës paditëse, nuk plotësonte as kriteret ligjore përjashtimore që do të mundësonin emërimin e tij si prokuror.
Në ankim argumentohet se çështja nuk lidhet thjesht me një mosmarrëveshje individuale, por me ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit penal nga një prokuror.
“Thelbi i çështjes është i thjeshtë: a mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit një person që pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret urdhëruese të ligjit? Pikërisht kësaj pyetjeje Gjykata nuk i dha përgjigje”, thuhet në njoftim.
Sipas Veliajt dhe Bashkisë Tiranë, gjykata nuk e shqyrtoi në themel pretendimin se akti i emërimit të Dados mund të jetë absolutisht i pavlefshëm.
“Çështja bëhet edhe më serioze sepse pretendohet pavlefshmëria absolute – forma më e rëndë e paligjshmërisë së një akti administrativ. Ligji parashikon që ajo mund të konstatohet në çdo kohë, madje edhe kryesisht nga vetë gjykata. Megjithatë, Gjykata e mbylli procesin për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar pikërisht atë që ligji i lejon dhe i kërkon ta konstatojë edhe kryesisht”, thuhet më tej.
Në deklaratë ngrihet edhe pyetja nëse një prokuror mund të ushtrojë për vite me radhë pushtetin penal të shtetit mbi bazën e një akti që pretendohet se është juridikisht i pavlefshëm.
“Pra, përballë pretendimit se pushteti penal i shtetit mund të jetë ushtruar për vite mbi bazën e një akti juridikisht të pavlefshëm, Gjykata zgjodhi të mos e verifikojë fare këtë pretendim”, vijon deklarata.
Veliaj dhe Bashkia Tiranë argumentojnë se çështja shkon përtej interesit personal të kryebashkiakut dhe lidhet me një parim më të gjerë të shtetit të së drejtës.
“Kjo çështje shkon përtej interesit individual të Erion Veliajt. Ajo shtron një pyetje themelore për shtetin e së drejtës: a janë të gjithë të barabartë përpara ligjit, apo prokurorët dhe gjyqtarët përjashtohen nga kontrolli gjyqësor i ligjshmërisë së titullit mbi të cilin ushtrojnë pushtetin e tyre?”
Në njoftim përmendet edhe situata e Erion Veliajt, i cili, sipas palës së tij, ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh pa një vendim fajësie të formës së prerë.
“Kryetari i Bashkisë, i zgjedhur demokratikisht nga rreth 160 mijë qytetarë të Tiranës, i është nënshtruar pushtetit penal të shtetit, ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh pa vendim gjykate fajësie dhe po gjykohet për dyshimet e ngritura ndaj tij. Përse, atëherë, prokurori që ka ushtruar këtë pushtet penal duhet të mbetet jashtë kontrollit të një gjykate për një pyetje elementare: a e ka fituar ligjërisht statusin dhe kompetencën për të vepruar si prokuror?”
Në përfundim, pala që ka bërë ankimin e lidh çështjen me parimin e barazisë para ligjit.
“Nëse i zgjedhuri nga qytetarët duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe gjykatës, përse prokurori i emëruar refuzon t’i nënshtrohet të njëjtit standard për ligjshmërinë e pushtetit që ushtron?”
Dhe mesazhi për Gjykatën Administrative të Apelit është: “Barazia para ligjit nuk mund të funksionojë vetëm për të akuzuarin. Edhe pushteti që heton dhe akuzon duhet të provojë se buron nga ligji. Pikërisht këtë kërkuam nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe pikërisht këtë kërkojmë sot nga Gjykata Administrative e Apelit: asnjë imunitet për Kryetarin e Bashkisë, por asnjë imunitet nga kontrolli gjyqësor për prokurorin.”



