Ndërsa emri i Monika Kryemadhit është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes për deklaratat e saj mbi jetën personale, në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet një proces krejt tjetër, që lidhet me akuzat e ngritura nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
SPAK i përfundoi hetimet në gusht 2025 dhe më 29 gusht e dërgoi dosjen për gjykim. Sipas njoftimit zyrtar, Kryemadhi akuzohet për dy raste korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, të kryera në bashkëpunim, pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim dhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private.
Hetimi kishte nisur që në vitin 2019 dhe në vitin 2024 procedimet e ndryshme u bashkuan në një dosje. Sipas SPAK, çështja përfshin disa episode që lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.
CEZ-DIA dhe ndikimi politik
Një pjesë e dosjes lidhet me marrëdhëniet rreth kompanisë “Debt International Advisory”, e njohur si DIA, dhe kontratës për mbledhjen e borxheve të CEZ-it.
Sipas SPAK, hetimi ka evidentuar përdorim të influencës dhe pushtetit politik për favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt përfitimeve të parave. Prokuroria pretendon se kontrata me DIA-n solli një përfitim të parregullt prej rreth 649.8 milionë lekësh, shumë e cila, sipas SPAK, është konfirmuar edhe nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Në këtë pjesë të dosjes, akuza kryesore për korrupsion lidhet drejtpërdrejt me Ilir Metën, ndërsa Kryemadhi përfshihet në episode të tjera të hetimit që SPAK i ka konsideruar si veprime në bashkëpunim.
Fibrat optike dhe kontrata e kompanisë private
Një tjetër episod lidhet me vitin 2014 dhe pretendimin e SPAK se Ilir Meta, në atë kohë Kryetar i Kuvendit, dhe Monika Kryemadhi, atëherë deputete, kanë përdorur influencën e tyre për të ndikuar te institucione dhe kompani private.
Sipas prokurorisë, qëllimi ishte futja në tregun shqiptar të fibrave optike dhe lidhja e një marrëveshjeje interkonjeksioni mes një kompanie të huaj dhe një kompanie shqiptare të telefonisë.
SPAK pretendon se nga kjo ndërhyrje Meta dhe Kryemadhi kanë përfituar në përqindje nga fitimi i kompanisë dhe kanë përdorur karta krediti të vëna në dispozicion nga administratori i shoqërisë. Sipas akuzës, shpenzimet e kryera përmes këtyre kartave nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurisë.
Kryemadhi i ka kundërshtuar këto pretendime dhe në seancat e GJKKO-së ka kërkuar që të shqyrtohen provat dhe ekspertimet e SPAK.
Pasuria dhe shpenzimet e padeklaruara
Një nga akuzat formale ndaj Kryemadhit është ajo për refuzim deklarimi, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private.
SPAK pretendon se në deklarimet periodike të pasurisë janë lënë jashtë shpenzime dhe përfitime që, sipas prokurorisë, duhej të deklaroheshin.
Kjo pjesë e dosjes është e lidhur edhe me hetimin pasuror që u bashkua me çështjen kryesore.
Çfarë ka ndodhur në gjykatë?
Pas përfundimit të hetimeve, SPAK e dërgoi dosjen për gjykim në gusht 2025.
Procesi nisi fillimisht me seancat paraprake në GJKKO. Në shtator 2025 seancat u shtynë disa herë, ndërsa në muajt në vijim mbrojtja e Kryemadhit kundërshtoi prova dhe kërkoi, ndër të tjera, që çështja të rikthehej për hetime të mëtejshme.
Më 5 shkurt 2026, gjatë një prej seancave paraprake, Kryemadhi deklaroi se lista e provave të SPAK kishte mbi 40 faqe dhe kundërshtoi përmbajtjen e saj. Më 26 shkurt ajo kërkoi kthimin e çështjes për hetime të mëtejshme, si dhe pushimin e saj.
Më 18 mars 2026, GJKKO vendosi që dosja të kalonte për gjykim.
Seanca e parë në themel ishte caktuar për 27 prill 2026, ndërsa më pas procesi vijoi me seanca të njëpasnjëshme.
Në 11 maj, gjykata vendosi ndarjen e çështjes për disa nga të pandehurit që kërkuan gjykim të shkurtuar, ndërsa Meta dhe Kryemadhi vijuan në procesin e zakonshëm.
Në qershor dhe korrik procesi vijoi me administrimin e provave dhe diskutimin e listës së dëshmitarëve. SPAK kishte propozuar më shumë se 100 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja e Metës kishte paraqitur një listë me 134 emra.
Më 29 korrik u zhvillua një tjetër seancë në GJKKO, ku u diskutuan edhe prova dhe pretendime të palëve. Kryemadhi vazhdoi të kundërshtojë akuzat dhe pretendoi se disa veprime të prokurorisë kishin motive politike.
Çfarë thotë Kryemadhi?
Kryemadhi i ka mohuar akuzat dhe ka sulmuar vazhdimisht mënyrën se si SPAK ka zhvilluar hetimin.
Në seancat gjyqësore ajo ka kundërshtuar vlefshmërinë e disa provave, ka kërkuar ekspertime dhe ka pretenduar se hetimi ka pasur motiv politik. Në një prej seancave të korrikut ajo deklaroi se prokuroria pretendon ndikim të paligjshëm, ndërsa sipas saj duhet të thirren personat që kanë firmosur aktet përkatëse.
Pra, deri tani kemi një proces gjyqësor në zhvillim dhe akuza të SPAK-ut, jo një vendim fajësie.
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe dallimi që shpesh humbet në zhurmën mediatike. Kryemadhi mund të flasë për jetën private, të japë batuta dhe të jetë pjesë e emisioneve televizive, por në të njëjtën kohë ajo është një e pandehur në një proces të rëndësishëm penal ku SPAK pretendon korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Për publikun, pyetja kryesore nuk është nëse Kryemadhi do të lajë apo jo “brekët e të tjerëve”. Pyetja është nëse akuzat e ngritura nga SPAK do të provohen apo do të rrëzohen në gjykatë.
E Vërteta.al
“Brekët” e Kryemadhit pushtojnë mediat/ Hetimet e SPAK mbeten në hije
Kryemadhi sulmon SPAK-un në gjyq/ “E gjithë akuza ngrihet mbi një telefon të paligjshëm”
SPAK: Dosja e Metës dhe Kryemadhit u ndërtua me ndihmën e SHBA, Italisë e Austrisë
SPAK, filmi, Iliri?/ Cili është halli i vërtetë i Monika Kryemadhit?
200 mijë dollarë për veshje?/ Kryemadhi nga avionët e luksit në dyert e SPAK-ut
Meta: Nëse kartat i ka përdorur Kryemadhi, është e rëndë/ “SPAK fsheh faturat e lobimit në SHBA”



