KreuAktualitetPolitikaSpaho “godet” Berishën: A ke menduar si do ta rrëzosh Ramën në...

Spaho “godet” Berishën: A ke menduar si do ta rrëzosh Ramën në shtator?

Ish-deputeti dhe ish-ministri demokrat Edmond Spaho ka kritikuar publikisht mënyrën se si po drejtohet opozita dhe Partia Demokratike, pas konferencës së sotme për shtyp të kreut të PD-së, Sali Berisha.

Përmes një postimi në Facebook, Spaho shprehet se opozita duhet të fokusohet më shumë te vetja dhe të tregojë se çfarë programi, aksioni politik dhe alternativash ka për qytetarët.

Duke komentuar qëndrimet e Berishës ndaj zhvillimeve brenda mazhorancës, Spaho ironizon atë që e quan një rol të opozitës si “komentuese e maxhorancës”.

“Ku ka katandisur opozita! Komentuesja e maxhorancës!”, shkruan Spaho, duke sjellë disa shembuj të deklaratave të opozitës për zhvillime brenda Partisë Socialiste dhe aktivitetet e mazhorancës.

Sipas tij, ndërsa opozita pretendon se qeverisë së Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe se në shtator mund të ketë një ndryshim politik, duhet të ketë një plan të qartë se çfarë do të bëjë më pas.

“A ka opozita jonë program të sajin, aksion politik të sajin, a ka alternativa të sajat për shqetësimet e qytetarëve, a ka opozita veprimtari në terren?”, pyet Spaho.

Ish-ministri shkon më tej në kritikën e tij, duke vënë në dyshim efektin e protestave dhe konferencave për shtyp në përballjen me qeverinë.

“Kur thua që Ramës i ka ardhur fundi dhe në shtator do bjerë nga pushteti, a e ke menduar sesi do bjerë, se çfarë do të bësh ti, çfarë fronti do ngresh e mobilizosh, si do i tundosh qytetarët?”, shkruan ai.

Spaho kritikon edhe mënyrën e organizimit të protestave, duke argumentuar se vetëm me protesta të kufizuara dhe deklarata publike nuk mund të rrëzohet një qeveri.

“A rrëzohet Rama nga pushteti vetëm me konferenca bajate shtypi të cilat i kemi stërdegjuar në 13 vjet dhe nuk frymëzojnë as vetë drejtuesit e PD?”, vijon ai.

Një tjetër pikë e kritikës së Spahos lidhet me mbështetjen elektorale të opozitës. Ai pyet nëse PD kryen sondazhe për të matur nëse ka fituar apo humbur mbështetje që prej zgjedhjeve të vitit 2025, duke ndjekur modelin aktual të luftës politike.

Në fund, Spaho e përmbledh kritikën e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë për gjendjen e opozitës.

“E lodhur, e konsumuar, pa ide dhe kokëfortë për të ndryshuar, opozita po i drejtohet shtatorit sipas shprehjes: sezon i ri politik, avaz i vjetër”, përfundon ai.

Reagimi i Edmond Spahos vjen në një moment kur brenda opozitës vijon diskutimi për strategjinë politike, aksionin në terren dhe mënyrën se si Partia Demokratike synon të përballet me mazhorancën në muajt e ardhshëm.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat