KreuAktualitetKronikëPas zjarreve, nis hetimi/ Policia krijon Njësinë për Krimet Mjedisore

Pas zjarreve, nis hetimi/ Policia krijon Njësinë për Krimet Mjedisore

Policia e Shtetit pritet të ketë një strukturë të re të dedikuar për hetimin e krimeve mjedisore. Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore do të ketë si fokus identifikimin dhe hetimin e rasteve të paligjshmërisë që dëmtojnë mjedisin në të gjithë territorin e vendit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë një takimi me 12 drejtuesit e Policisë në qarqe.

Lamallari tha se puna e Policisë nuk duhet të përfundojë me shuarjen e një zjarri, por të vijojë me hetimin e shkaqeve dhe identifikimin e personave përgjegjës, kur dyshohet për një vepër penale.

“Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale”, u shpreh ministri.

Sipas tij, përballimi i krimeve mjedisore kërkon hetime të thelluara dhe bashkëpunim mes institucioneve. Në këtë proces, Policia pritet të bashkëpunojë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, komunitetin dhe Prokurorinë, ndërsa do të përdoren edhe teknologjia dhe ekspertiza forenzike.

“Detyra jonë është që çdo zjarr të dyshimtë të hetohet profesionalisht, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, bashkëpunimi me komunitetin, shfrytëzimi i teknologjisë dhe ekspertizës më të mirë forenzike brenda dhe jashtë vendit si dhe Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe autor i dyshuar të ndiqet deri në fund”, deklaroi Lamallari.

Ministri theksoi se Policia e Shtetit duhet të jetë në vijën e parë të reagimit ndaj çdo forme paligjshmërie dhe jo të ndërhyjë vetëm pasi pasojat të jenë shfaqur.

Njësia e re synon të forcojë hetimin e rasteve të krimeve mjedisore, veçanërisht në situatat kur dëmtimi i mjedisit dyshohet se është shkaktuar në mënyrë të qëllimshme dhe përbën vepër penale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat