Ajo që nisi pas përplasjes në Zvërnec në fund të majit si një protestë kundër një projekti turistik në zonë të mbrojtur, në më pak se tre muaj është shndërruar në një lëvizje të përditshme kundër qeverisë, me kërkesë për dorëheqjen e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese. Sot, 22 gusht, protesta hyn në ditën e 84-t.
Gjithçka nisi në Zvërnec më 30 maj 2026, ku një protestë kundër punimeve dhe projektit të resortit u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe rojeve të një kompanie private sigurie. Pamjet e një protestuesi të dhunuar dhe të tërhequr zvarrë u shpërndanë me shpejtësi dhe shkaktuan reagim publik. Rasti solli arrestimin e një prej rojeve dhe masa ndaj strukturave lokale të policisë.
Të nesërmen, kryeministri Edi Rama e cilësoi ngjarjen “skandaloze”, duke dënuar sjelljen e rojeve private dhe mosreagimin e policisë. Rama tha se shteti kishte reaguar me arrestime, ndjekje penale, heqjen e licencës së kompanisë private dhe shkarkimin e drejtorit vendor të policisë. Ai ndërkohë e mbrojti projektin e Zvërnecit, duke argumentuar se zona ku parashikohej investimi lejon zhvillim dhe se projekti nuk sillte heqjen e statusit të mbrojtur.
Në të njëjtën ditë, SPAK konfirmoi se kishte nisur hetim lidhur me çështjen e Zvërnecit, pa dhënë në atë fazë hollësi mbi objektin e hetimit.
1 Qershor, protesta del nga Zvërneci dhe mbërrin në Tiranë
Më 1 qershor, mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë dhe marshuan drejt Kryeministrisë. Pankartat kryesore lidhen me mbrojtjen e territorit dhe kundërshtimin e projekteve turistike, ndërsa në turmë nisën të dëgjohen edhe thirrje politike kundër Ramës dhe kundër klasës politike në tërësi.
Slogani “Shqipëria nuk është në shitje” u bë një nga mesazhet e përsëritura në shesh. Që nga ajo ditë, tubimi nisi të përsëritej çdo mbrëmje.
Më 2 qershor, protestuesit u zhvendosën edhe drejt Ministrisë së Brendshme, ku disa prej tyre rrethuan godinën me tela me gjemba. Përveç anulimit të projektit, u kërkua dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e ministrit të Brendshëm.
Nga protesta mjedisore te kërkesa për dorëheqjen e Ramës
Në ditët që pasuan, protesta filloi të ndryshojë natyrë.
Në fillim kërkesa kryesore lidhej me projektet në zonat e mbrojtura. Por me kalimin e ditëve, në qendër të tubimit u vendos gjithnjë e më shumë qeverisja, korrupsioni, emigrimi dhe funksionimi i sistemit politik.
Më 11 qershor, protesta hyri në ditën e 12-të dhe organizatorët e quajtën marshimin “Revolucioni i Flamingove”. Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, marshuan drejt Kryeministrisë dhe më pas në disa akse të kryeqytetit. Në atë fazë, organizatorët kërkonin anulimin e ligjeve që lidhen, sipas tyre, me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.
Më 13 qershor, në ditën e 14-të, marshimi mori përmasa më të mëdha. Protestuesit vendosën këpucë përpara Kryeministrisë si simbol të largimit të shqiptarëve nga vendi dhe pas qëndrimit disaorësh nisën një marshim të gjatë në rrugët e Tiranës.
Berisha e mbështet protestën
Në mes të këtij mobilizimi, opozita e drejtuar nga Sali Berisha doli hapur në mbështetje të protestuesve.
Më 12 qershor, Berisha e cilësoi tubimin si një nga protestat më të fuqishme të Tiranës dhe u bëri thirrje demokratëve të bashkoheshin me të. Ai e lidhi protestën me kundërshtimin ndaj qeverisë Rama, duke e akuzuar mazhorancën për korrupsion, krim dhe vjedhje.
Megjithatë, vetë protesta nuk u kthye në një tubim të Partisë Demokratike.
Një element që vazhdoi të përsëritej në shesh ishte kritika edhe ndaj opozitës. Në disa protesta u dëgjua slogani “Rama në burg, Berisha në burg”, duke e pozicionuar lëvizjen kundër gjithë klasës politike dhe jo vetëm kundër qeverisë.
22 qershor, protesta merr program politik
Kthesa më e rëndësishme erdhi në ditën e 23-të, më 22 qershor. Grupi Koordinues publikoi për herë të parë një platformë me pesë kërkesa të shkruara, duke e formalizuar politikisht lëvizjen.
Kërkesa e parë ishte dorëheqja e panegociueshme e Edi Ramës dhe qeverisë. E dyta ishte krijimi i një qeverie teknike, jopartiake, me mandat 12 muaj.
E treta kërkonte ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, përfshirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimet në ligjin për financimin e partive dhe organizatave dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike të një personi.
Kërkesa e katërt lidhej me anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe të statusit e kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.
Kërkesa e pestë ishte krijimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.
Në këtë pikë, protesta kishte dalë përfundimisht përtej çështjes së Zvërnecit dhe ishte kthyer në një lëvizje me objektiv të drejtpërdrejtë politik.
Përplasja kalon nga sheshi në debat për Iranin
Publikimi i pesë kërkesave shkaktoi një tjetër përplasje politike. Kryeministri Edi Rama reagoi duke sulmuar publikisht Dritan Goxhajn, i cili kishte lexuar kërkesat në emër të grupit organizator. Kryeministri e lidhi atë me Iranin dhe përsëriti qëndrimin se protesta, në fund, do të sillte përfitim politik për Partinë Socialiste.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e akuzoi Goxhajn se po vepronte si “zëdhënës” i Iranit në Shqipëri dhe e lidhi protestën me qëndrime kundër SHBA-së dhe Izraelit.
Në plan ndërkombëtar, debati u zgjerua edhe më tej. Protestat u kthyen në pjesë të një përplasjeje politike dhe diplomatike pas deklarimeve të Ramës për një fushatë iraniane dhe reagimit të Iranit, i cili i mohoi akuzat për mbështetje të protestave.
Në këtë fazë, qeveria nuk po përballej më vetëm me një protestë për mjedisin. Po përballej me një lëvizje që kërkonte dorëheqjen e saj.
Protesta bëhet e përditshme
Gjatë korrikut, protestat vazhduan çdo ditë.
Në 18 korrik, protesta hyri në ditën e 49-të. Në atë periudhë pjesëmarrja u raportua më e ulët, por organizatorët vijuan të mbajnë të njëjtën platformë dhe kundërshtuan përpjekjet për ta përfaqësuar protestën përmes strukturave të tjera. Në shesh u përsërit edhe ideja se vendimmarrja për protestën i përkiste vetë qytetarëve të mbledhur aty.
Në ditët e mëvonshme, sloganet politike u konsoliduan. Dorëheqja e Ramës, krijimi i një qeverie teknike dhe ndryshimi i sistemit.
Më 5 gusht, protesta hyri në ditën e 67-të dhe organizatorët vijonin kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike.
Më 11 gusht, protesta regjistroi ditën e 73-të. Pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin në rrugët e Tiranës.
12 gusht, protesta shkon edhe në SPAK
Një tjetër zhvillim ndodhi në 12 gusht, kur qytetarë dhe aktivistë depozituan një kallëzim penal në SPAK ndaj Edi Ramës dhe funksionarëve të tjerë lidhur me projektet në zona të mbrojtura, përfshirë Zvërnecin dhe Rrjollin. Kallëzimi kërkonte hetimin e mënyrës se si ishin ndjekur procedurat për këto projekte.
Kështu, protesta nuk mbeti më vetëm në shesh. Aksioni u zhvendos edhe në institucionet e drejtësisë.
Gushti solli diasporën në shesh
Një tjetër kthesë e rëndësishme erdhi në 14, 15 dhe 16 gusht, kur në Tiranë mbërritën shqiptarë nga diaspora dhe iu bashkuan protestave.
Në 14 gusht, protesta shënoi ditën e 76-të dhe grupe shqiptarësh nga jashtë vendit marshuan drejt qendrës dhe Kryeministrisë. Organizatorët e lidhën pjesëmarrjen e diasporës me kërkesën për ndryshim politik dhe me kundërshtimin e qeverisë.
Më 15 gusht, diaspora iu bashkua për të dytën ditë radhazi protestës, ndërsa më 16 gusht, në ditën e 78-të, pjesëmarrja e shqiptarëve të ardhur nga jashtë vazhdoi. Kjo fazë e protestës e lidhi gjithnjë e më shumë aksionin politik edhe me emigrimin dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria.
Paralajmërimi për përshkallëzim
Më 17 gusht, protesta kishte arritur në ditën e 79-të. Më 18 gusht ishte dita e 80-të, me të njëjtin itinerar. Sheshi “Skënderbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Kryeministria – marshim në qytet. Kërkesa për largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike vijoi të ishte në qendër të protestës. Më 19 gusht, në ditën e 81-të, qytetarët vijuan me fjalimet para Kryeministrisë dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.
Në 21 gusht, protesta arriti në ditën e 83-të. Pas fjalimeve nisi sërish marshimi në Tiranë. Aktivisti Edison Lika deklaroi se protesta do të vijonte edhe në shtator dhe paralajmëroi se aksioni mund të përshkallëzohej në bllokime rrugësh. Ai i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë Edi Ramën.
Po atë mbrëmje, protestuesit përsëritën thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa sulmet politike u drejtuan edhe ndaj opozitës dhe klasës së vjetër politike.
Sot, 22 gusht, dita e 84-t
Sot, më 22 gusht, protesta hyn në ditën e 84-t. Organizatorët kanë paralajmëruar një tjetër grumbullim në sheshin “Skënderbej”, marshim drejt Kryeministrisë dhe vijim të tubimit. Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e Edi Ramës, ndërsa krahas saj vazhdojnë kërkesat për qeveri teknike, ndryshime kushtetuese dhe ndryshime në ligjet që lidhen me zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe trashëgiminë kulturore.
Në më pak se tre muaj, protesta ka kaluar disa etapa.
Ajo nisi me Zvërnecin dhe një përplasje fizike, u zhvendos në Tiranë, u shndërrua në një protestë të përditshme kundër qeverisë, mori një platformë me pesë kërkesa, hyri në një përplasje të fortë politike mes qeverisë dhe organizatorëve, mori dimension me diasporën, ndërsa në gusht u shoqërua edhe me kallëzime në SPAK dhe paralajmërime për përshkallëzim të aksionit në shtator.
Nga një protestë për një projekt në bregdet, lëvizja është kthyer në një nga përplasjet më të gjata politike në rrugë kundër qeverisë Rama gjatë vitit 2026.
Për momentin, pas 84 ditësh, asnjë nga kërkesat kryesore politike të protestuesve nuk është pranuar nga qeveria dhe tubimet vazhdojnë çdo ditë./ Etleva Skonja



