Një tender publik nis në letër si një procedurë e zakonshme. Shteti përcakton nevojën, vendos fondin limit, kompanitë paraqesin ofertat dhe në fund zgjidhet fituesi.
Por çfarë ndodh kur prokurimi vihet nën hetim për manipulim?
Përtej emrave të zyrtarëve apo kompanive, ajo që i intereson qytetarit është se sa para publike janë vënë në lojë, sa është paguar dhe sa mund të ketë kushtuar një procedurë e dyshuar si e manipuluar?
Pikërisht këtu tenderat e hetuar nga Prokuroria e Posaçme mund të shihen jo vetëm si dosje penale, por edhe si histori me shifra.
Rastet
Nga Tropoja, ku oferta më e ulët u la jashtë dhe kontrata iu dha një kompanie me mbi 8 milionë lekë më shumë, te Kolonja me 590 milionë lekë dëm të evidentuar, tuneli i Llogarasë me fond limit afro 19 miliardë lekë dhe tenderi i Albcontrol, ku SPAK pretendon se përfitimi i parregullt ishte 145 mijë euro në formën e një vile në Dhërmi, dosjet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se hetimet për korrupsionin në prokurimet publike ndjekin jo vetëm kontratën, por edhe destinacionin e parave dhe pasurive.
Hetimi për Tropojën
Një nga rastet më të drejtpërdrejta është ai i Bashkisë Tropojë, për tenderin e ndërtimit të palestrës, terreneve sportive dhe sistemimeve të jashtme në gjimnazin “Asim Vokshi”. Fondi limit ishte 50.319.591 lekë pa TVSH.
Bashkimi i operatorëve “Halili 1 & Shendelli” kishte paraqitur ofertën më të ulët, në vlerën 42.072.833 lekë pa TVSH.
Megjithatë, sipas SPAK, fitues u shpall “4 A-M”, me ofertë 50.269.533 lekë pa TVSH.
Diferenca mes dy ofertave ishte 8.196.700 lekë dhe kjo shumë është përcaktuar nga prokuroria si dëm ekonomik i shkaktuar shtetit. Sipas SPAK, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave nuk i trajtuan në mënyrë të barabartë operatorët dhe vepruan në kundërshtim me rregullat e prokurimit.
Durrës, 18.3 milionë lekë dëm
Një tjetër rast konkret lidhet me Bashkinë Durrës dhe projektin për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin Publik nga Bërryli deri në Currila.
Fondi limit ishte 21 milionë lekë me TVSH.
Sipas SPAK, përllogaritja e fondit ishte bërë gati dhjetë herë më e lartë se tarifa që duhej të përdorej sipas akteve përkatëse.
Kontrata parashikonte pagesën e 60% të vlerës në momentin e nënshkrimit dhe pjesën tjetër në vitin pasardhës.
KLSH kishte evidentuar parregullsinë dhe kishte kërkuar rikuperimin e dëmit. Megjithatë, sipas SPAK, pagesa e këstit të dytë vijoi.
Dëmi ekonomik i evidentuar ishte 18.318.400,2 lekë.
Në këtë çështje, SPAK ka proceduar ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, dhe zyrtarë të tjerë për shkeljet e pretenduara në procedurën e prokurimit.
Kolonjë, 590 milionë lekë në një procedurë
Në dosjen që përfshin procedura të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Bashkisë Kolonjë, shifra është shumë më e lartë.
Sipas SPAK, nga ekspertimi teknik, vlerësues dhe kontabël ka rezultuar se në një prej procedurave fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor ishte fryrë me 590.213.874 lekë.
Prokuroria e ka konsideruar këtë shumë si dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.
Në të njëjtën dosje, SPAK ka hetuar procedurën për supervizimin e punimeve të rrugës Korçë-Ersekë, loti i dytë, me fond limit 22.704.145 lekë me TVSH.
Sipas prokurorisë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë “A&E Engineering”.
Në një tjetër procedurë të Bashkisë Kolonjë, me fond limit 4.623.021,7 lekë me TVSH, SPAK pretendon se përllogaritja e fondit limit dhe specifikimet teknike ishin mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria që më pas fitoi procedurën.
Sipas akuzës, disa kritere të dokumenteve standarde të tenderit ishin përcaktuar gjithashtu nga kompania fituese.
Tuneli i Llogarasë
Një nga procedurat me vlerën më të madhe në dosjet e hetuara është ndërtimi i tunelit të Llogarasë, në seksionin Orikum-Himarë të autostradës SH8.
Tenderi i parë ishte zhvilluar më 11 dhjetor 2020 dhe më pas ishte anuluar.Procedura u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18.967.810.952,08 lekë pa TVSH.
SPAK e ka përfshirë këtë procedurë në akuzat ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas prokurorisë, Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kishte paracaktuar fituesin dhe kishte krijuar avantazhe të padrejta për bashkimin e operatorëve që fitoi procedurën.
Shifra prej 18.967 miliardë lekësh është fondi limit dhe nuk është deklaruar nga SPAK si dëm ekonomik i kësaj procedure. Kjo është e rëndësishme sepse një fond limit nuk mund të barazohet automatikisht me dëmin.
ARRSH
Në një tjetër hetim të SPAK, që lidhet me shtatë procedura prokurimi të ARRSH-së, del në pah një tjetër mekanizëm. Mes procedurave ishte edhe mbikëqyrja e punimeve për tunelin e Llogarasë, me fond limit 196.240.667,53 lekë.
Në qendër të hetimit ishte edhe shoqëria “DAAM” dhe Evis Berberi, i cili ka drejtuar ARRSH-në.
Sipas SPAK, në gjashtë procedura Berberi kishte kërkuar dhe marrë një përfitim të parregullt prej 77.380.973 lekësh, përmes një skeme faturash fiktive ndërmjet shoqërive “Net Group” dhe “DAAM”.
Një tjetër shifër e dalë nga dosja është 80.010.058 lekë, vlerë e shërbimeve që, sipas SPAK, ishin faturuar por nuk ishin kryer.
Hetimi përfshiu edhe masa pasurore. SPAK deklaroi se ishin sekuestruar kuota të shoqërisë “DAAM”, pasuri të paluajtshme dhe automjete, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Berberit u sekuestruan 15.675 euro, 3.035 paund dhe 1.436.000 lekë.
ARRSH, kontratë 219.8 milionë lekë dhe dokumente të falsifikuara
Një tjetër procedurë e ARRSH-së kishte për objekt mirëmbajtjen rutinë me performancë në segmentin Rrëshen–Ura e Fanit–Shpal–Qafë Bene–Hadroj–Ura e Repsit.
Fondi limit ishte 219.866.693 lekë pa TVSH.
Sipas SPAK, gjatë procedurës ishin kryer veprime që favorizonin një bashkim operatorësh, ndërsa më pas hetimi evidentoi edhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara.
Për këtë procedurë janë marrë të pandehur persona të ndryshëm me akuza që lidhen me shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe falsifikimin e dokumenteve.
Një tjetër kontratë e madhe e ARRSH-së, për rehabilitimin e segmentit “Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1, kishte fond limit 2.250.950.653,25 lekë pa TVSH.
SPAK ka deklaruar se gjatë procedurës janë kryer një sërë veprimesh në kundërshtim me rregullat e prokurimit dhe çështja është dërguar për gjykim.
Albcontrol, nga tenderi te një vilë 145 mijë euro në Dhërmi
Rasti i Albcontrol e çon ndjekjen e parave edhe më tej. Nga procedura e prokurimit te një pasuri e paluajtshme.
Sipas njoftimit të SPAK të 4 qershorit 2026, hetimi lidhet me procedurën “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”.
Fondi limit i tenderit ishte 88.651.633 lekë, ndërsa më pas pati edhe 14.161.814 lekë pa TVSH shtesë kontrate.
SPAK pretendon se në fazën e përgatitjes së projektit dhe procedurës së tenderit u përcaktuan kritere që krijuan avantazhe të padrejta për shoqërinë fituese “Eurocol” sh.p.k.
Favorizimi, sipas prokurorisë, vazhdoi edhe pas lidhjes së kontratës, ku kompanisë iu dha parapagim i menjëhershëm prej 50% të kontratës.
Në këtë dosje, prokuroria pretendon se përfitimi i parregullt i marrë nga Belinda Balluku ishte 145 mijë euro dhe lidhej me një pasuri të paluajtshme në resortin turistik “Ëhite Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut.
Bëhet fjalë për vilën F6, me sipërfaqe të vilës 103 m², verandë 34 m² dhe parcelë të rrethuar jo më pak se 300 m², sipas përshkrimit të dhënë në njoftimin zyrtar të SPAK.
SPAK pretendon se pasuria ishte përfituar në këmbim të favorizimit të “Eurocol” në procedurën e Albcontrol dhe se për të fshehur origjinën e saj ishin përdorur veprime juridike që prokuroria i konsideron fiktive.
Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi këtë pasuri më 3 qershor 2026.
Katër raste, katër shifra të ndryshme
Në Tropojë, sipas SPAK, dëmi ekonomik ishte 8.196.700 lekë, i lidhur me diferencën mes ofertës më të ulët dhe asaj fituese.
Në Durrës, dëmi i evidentuar ishte 18.318.400,2 lekë, pas një fondi limit që, sipas prokurorisë, ishte përllogaritur shumë më lart se duhej.
Në dosjen e Kolonjës, ekspertimi i përmendur nga SPAK evidentoi 590.213.874 lekë dëm ekonomik nga fondi i fryrë.
Në hetimin e ARRSH-së, prokuroria flet për 77.380.973 lekë përfitim të parregullt dhe 80.010.058 lekë shërbime të faturuara që dyshohet se nuk ishin kryer.
Ndërsa te Albcontrol, SPAK pretendon një përfitim të parregullt prej 145 mijë eurosh, që sipas hetimit u materializua në një vilë në Dhërmi dhe për të cilën është vendosur sekuestro preventive.
Tuneli i Llogarasë qëndron veçmas për nga përmasa financiare. 18.967.810.952,08 lekë fond limit, ndërsa akuza e SPAK lidhet me pretendimin se procedura ishte paracaktuar në favor të operatorit fitues.



