KreuAktualitetPolitikaPD kundër projektit të shtetit bektashi

PD kundër projektit të shtetit bektashi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar sërish idenë për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri, duke e cilësuar nismën si antikushtetuese dhe antikombëtare.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se Partia Demokratike ka mbajtur prej kohësh një qëndrim kundër kësaj nisme. Ai iu referua edhe deklaratave të tij të bëra në vitin 2024, kur sipas tij kishte reaguar kundër projektit.

Berisha theksoi se Shqipëria është një shtet laik dhe se krijimi i një entiteti të tillë, sipas tij, rrezikon të cenojë këtë parim dhe të nxisë përçarje fetare.

“PD ka reaguar fuqimisht. Cilido që është i interesuar për reagimet e PD, i sugjeroj t’u referohet deklaratave të mia”, tha Berisha, duke shtuar se kishte ngritur zërin kundër kësaj nisme edhe gjatë periudhës kur ndodhej në arrest shtëpie.

Kreu i PD-së u ndal edhe te roli që, sipas tij, ka pasur komuniteti bektashi në historinë dhe në formimin e identitetit kombëtar shqiptar.

“Ky është një akt në radhë të parë kundër bektashizmit shqiptar, i cili ka qenë dhe është një shtyllë e vërtetë e atdhetarisë”, u shpreh ai.

Berisha përmendi kontributin e figurave të njohura shqiptare me prejardhje bektashiane, duke theksuar se ata kanë dhënë kontribut në pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, por nuk kanë kërkuar krijimin e një shteti të veçantë mbi baza fetare.

Sipas tij, Shqipëria është karakterizuar historikisht nga bashkëjetesa dhe toleranca ndërfetare dhe çdo nismë që mund të cenojë këtë ekuilibër duhet kundërshtuar.

“Vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar”, deklaroi Berisha.

Ai e mbylli qëndrimin e tij duke përsëritur se Partia Demokratike do të vijojë të jetë kundër nismës, të cilën e cilësoi si “antikushtetuese, antishqiptare dhe antikombëtare”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat